Nga Ohri, ku ndodhet në samitin e Ballkanit të Hapur, kryeministri Edi Rama ka lëshuar kritika të forta ndaj Bashkimit Europian dhe Bullgarisë, e cila po pengon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar pa kursyer ironinë, tha se është koha për t’i dhënë fund stresit të anëtarësimit në BE.
Ai theksoi disa herë se Ballkani i Hapur nuk vdes kurrë. Rama kujtoi se Serbia ka treguar gatishmëri për të ndihmuar vendin tonë vazhdimisht.
“Ndalemi tek kontratat e grurit. Mes importimit nga Serbia në Shqipëri. Nuk u bllokuan siç fare mirë do ishin bllokuar nëse nuk do ishim në Ballkanin e hapur. Serbia ka marrë detyrime në reciprocitetin e kësaj. Mos është pak kjo? Apo duhet të mendojmë nëse nuk do merrnim dot grurit. Me çfarë do i ushqenim njerëzit që do u mungonte buka? Me konflikt apo me thirrje për tu futur në luftë?” tha Rama.
Për sa i përket energjisë, kryeministri Edi Rama bëri një parashikim negativ duke thënë se na pret një dimër që problem nuk do jetë çmimi por mungesa e energjisë.
“Apo me energjinë. Jemi të gjithë në teh të thikës. Në horizont është një dimër që nuk ka problem çmimin, por nuk do ketë fare energji për ta blerë. Nuk kemi luksin për retorikë kur njerëzit duan energji. Këtu do jemi dhe njësoj si me grurin do provohet e vërteta se Ballkani i Hapur nuk është as i imi, as i Vuçiç dhe askujt tjetër, por i njerëzve”, tha Rama.