Ekonomia shqiptare do të rritet me 3.2 për qind, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore për Perspektivat Ekonomike Globale, ose 0.6 pikë përqindje më pak se raporti i janarit.
Edhe për vitin 2023, ekonomia pritet të rritet me 3.5%, 0.2 pikë përqindje më pak se vlerësimi i mëparshëm. Banka Botërore uli parashikimin e saj për rritjen ekonomike globale dhe paralajmëroi se shumë vende mund të bien në recesion, pasi ekonomia po hyn në një periudhë stagflacioni të ngjashëm me atë të viteve 1970.
Rritja ekonomike globale pritet të bjerë në 2.9% këtë vit, nga 5.7% në vitin 2021 – 1.2 pikë përqindje më pak se parashikimi prej 4.1% në janar, tha Banka.
Rritja pritet të qëndrojë në këto nivele edhe gjatë viteve 2023 dhe 2024, ndërsa inflacioni mbetet mbi objektivin në shumicën e ekonomive, thuhet në raport, duke evidentuar rrezikun për stagflacion.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe rritja e çmimeve të mallrave që erdhi si pasojë e luftës kanë komplikuar dëmin ekzistues të shkaktuar nga pandemia Covid mbi ekonominë globale, për të cilën Banka Botërore tha se tani po hyn në atë që mund të jetë “një periudhë e zgjatur e rritjes së dobët ekonomike me inflacion të lartë”.
“Lufta në Ukrainë, izolimet në Kinë, problemet në zinxhirët e furnizimit dhe rreziku i stagflacionit po pengojnë rritjen ekonomike globale. Për shumë vende, recesioni do të jetë i vështirë për t’u shmangur”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.
Rritja në ekonomitë e përparuara parashikohet të ngadalësohet ndjeshëm në 2.6% për vitin 2022, nga 5.1% që ishte në vitin 2021, përpara se të zvogëlohet më tej në 2.2% gjatë vitit 2023, thuhet në raport.
Ndërkohë, rritja në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim parashikohet të bjerë në 3.4% për vitin 2022, nga 6.6% që ishte në vitin 2021, shumë më poshtë mesatares vjetore prej 4.8% nga viti 2011 në 2019.
Nga ana tjetër, inflacioni vijon të rritet si në ekonomitë e përparuara, ashtu edhe në ato në zhvillim, duke i shtyrë bankat qendrore që të shtrëngojnë politikat monetare dhe të rrisin normat e interesit, për të frenuar rritjet e mëtejshme të çmimeve.
Stagflacioni i ngjashëm me atë të viteve 1970
Mjedisi aktual me inflacion të lartë dhe rritje ekonomike të dobët është shumë i ngjashëm me atë të viteve 1970, një periudhë stagflacioni intensiv ku ishte e nevojshme rritja e madhe e normave të interesit në ekonomitë e zhvilluara. Ky stagflacion shkaktoi një varg krizash financiare në tregjet dhe në ekonomitë në zhvillim.
Raporti i Bankës Botërore në qershor ofron atë që e konsideron si krahasimin “e parë sistematik” midis situatës aktuale dhe asaj të 50 viteve më parë.
Ekzistojnë paralele të qarta midis periudhës së atëhershme dhe situatës aktuale, thuhet në raport. Këto përfshijnë problemet e shkaktuara nga kahu i ofertës, perspektivat për dobësimin e rritjes ekonomike dhe dobësitë me të cilat po përballen ekonomitë në zhvillim lidhur me shtrëngimin e politikave monetare për të frenuar inflacionin.
Megjithatë, ka edhe një sërë dallimesh, të tilla si fuqizimi i Dollarit Amerikan, çmimet përgjithësisht më të ulëta të naftës dhe bilancet e qëndrueshme në institucionet kryesore financiare, të cilat krijojnë hapësira për manovrim.
Për të reduktuar rreziqet e përsëritjes së historisë, Banka Botërore kërkoi nga politikëbërësit që të koordinojnë ndihmën për Ukrainën, të kundërshtojnë rritjen në çmimet e naftës dhe të ushqimeve, si dhe të krijojnë lehtësi për borxhin e ekonomive në zhvillim./Monitor