Ramush Haradinaj gjatë kohës sa kishte qenë kryeministër i Republikës së Kosovës kishte vendosur masën e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë. Kjo kishte bërë që importi i Kosovës nga Serbia të shënonte një rënie drastike. Sipas statistikave të bazuara në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2019, Kosova kishte importuar nga Serbia vetëm 6 milionë euro, raporton Express.
Pas largimit të Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, në krye të ekzekutivit të Kosovës kishte ardhur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili mori vendim për heqjen e taksës pas presionve të mëdha ndërkombëtare dhe premtoi se ajo do të zëvendësohej me masën e reciprocitetit.
Megjithatë një masë e tillë e reciprocitetit nuk u vendos asnjëherë, edhe pse kryeministri Albin Kurti pak ditë para ardhjes për herë të dytë në pozitën e shefit të Qeverisë kishte thënë se do të jetë çështje ditësh dhe javësh e kurrsesi muajsh.
“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, kishte thënë Kurti në vitin 2021.
Ndërkohë nga viti 2019 deri në vitin 2021, importi i Kosovës nga Serbia është rritur për 300 milionë euro. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga 6 milionë sa ishte në vitin 2019, ka shkuar në 306 milionë në vitin 2021.
Importet E Kosove Nga Vendet E Cefta S Burimi Ask 768×508
Lëvizja Vetëvendosje si parti opozitare në kishte organizuar aksione në Merdare, ku edhe kishte rrotulluar kamionët me mallra serbe që vinin në Kosovë. Madje kishin organizuar edhe fushatën “Duaje Tëndën” me qëllim të promovimit të produkteve vendore./GazetaExpress/