Shefat në arrati dhe marrin lekë nga shteti/ Punëtorët e inceneratorit të Elbasanit protestojnë për pagë të pa marrë dhe ulje rroge

0
110

Rreth 30 punëtorë të inceneratorit të Elbasanit protestuan sërish të hënën për disa orë për pagesa të palikujduara dhe nivelin e ulët të pagës të përcaktuar pas kalimit në varësi të bashkisë Elbasan.

Sokol Shaqiri, një prej punëtorëve që iu bashkua protestës, i tha BIRN se kishin pritur disa muaj për një reagim të administratorëve dhe të bashkisë, por deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim. “Ne vendosëm që të ndalim punën për disa orë pasi jemi në mes të qershorit dhe ende nuk kemi marrë pagën e muajit mars, kur ende bashkia nuk e kishte marrë inceneratorin në administrim”, tha Shaqiri.

Ai tha se ata kërkonin të paguheshin për një periudhë kohe që kishin punuar dhe u ishte premtuar likujdimi, por ende nuk ka ndodhur. “Nuk kemi përgjigje se kur do të ndodhë kjo prandaj vendosëm të dalim në protestë”, thotë punëtori.

Pagat e prapambetura iu premtuan punonjësve edhe më herët dhe në maj pas një proteste të ngjashme, administratorët e caktuar nga shteti dhe drejtori lokal i Inspektoriatit të Punës pretenduan se kjo situatë ishte zgjidhur. Administratorët shtetëror të kompanive që kanë detyrimin nuk qenë të arritshëm për koment.

Një tjetër punëtor thotë se rroga për të është shumë e rëndësishme pasi me të ushqen 8 fëmijë. “Ta dijë dhe kryeministri që ne me këtë rrogë mbahemi. Unë jam vetë i dhjetë në shtëpi dhe fëmijët më presin rrogën. Na thanë do shesim skrapin, kanoçet, e do ju japim rrogat dhe nuk kemi marrë gjë. Na kanë gënjyer disa herë, por u bënë muaj dhe vendosëm t’ju drejtohemi mediave”, thotë ai pa dashur të identifikohet nga frika e largimit nga puna.

Ndërkohë punëtorët e inceneratorit ankohen se pas marrjes në dorëzim nga bashkia, atyre u është ulur rroga. Nëse në kohën kur impianti i  përpunimit të mbetjeve ishte nën administrimin e kompanisë Albtek Energy punëtorët e riciklimit  merrnin një minimum prej 32.000 lekësh neto ndërkohë që me kalimin në administrim të bashkisë rroga neto që marrin është 29 300 lekë.

“Puna jonë është e vështirë. Merremi me riciklimin e mbetjeve. Ju e dini sa janë rritur çmimet. Paga jonë duhet të rritej dhe jo të ulej. Presim që bashkia të reflektojë”, tha Ardjani një nga punëtorët që i është bashkuar protestës.

Por kryebashkiaku i Elbasanit Gentian Llatja mohoi të kishte ulje pagash. Ai tha se pagat ishin dakordësuar me punonjësit dhe se ata e kishin pranuar pagesën. Bashkia e Elbasanit thotë se nuk ka përgjegjësi për periudhën e papaguar nga kompania.

Problemet me pagesat pranë inceneratorëve në Elbasan dhe më pas në Fier u shfaqën pasi drejtuesit e kompanive që zotëronin u shpallën në kërkim dhe ato u vunë në sekuestro preventive, pas dyshimeve për korrupsion. Tani kompanitë administraohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ndërsa inceneratori i Elbasanit u transferua te bashkitë e qarkut me një kontratë qiraje.

Me akuza për korrupsion e shpërdorim detyre në kontratat e ndërtimit të inceneratorëve, janë arrestuar ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako si dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa administratorët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë në arrati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here