Yuri Kim ‘peshkohet’ si Donald Lu: Qeveria po lufton korrupsionin

0
130

Në takimin për anti-korrupsionin të organizuar nga qeveria në Pallatin e Kongreseve, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka lëshuar një nga ato fjali që mbahen mend gjatë dhe që shënjojnë, në fakt, mandatin e një diplomati.

Ajo, duke u abstraguar nga pjesëmarrja në sallë, ka hamendësuar se kjo qeveri, ndryshe nga më parë, e ka rritur përkushtimin në luftën ndaj korrupsionit. Dhe sikur ky përkufizim, që shumëkënd mund ta bëjë të vendosë duart në kokë, ajo shtoi: “është e stërmadhe”.

Por ky përkushtim i stërmadh bie kryekëput ndesh edhe me raportet e përvitshme të “Transparency International”, që e rendit gjithmonë e më keq Shqipërinë, edhe me konkluzionet e fundit të Departamentit të Shtetit që vë re se “korupsioni është përhapur në mënyre kapilare në të gjitha nivelet”.

Pra, deklaratat e znj. Kim në këtë tubim i ngjajnë si dy pika uji atyre të paraardhësit të saj Donald Lu, jo në atë të anti-korrupsionit, por në atë të anti-drogës, kur tha se Saimir Tahiri kishte bërë një “hap të stërmadh” në luftën ndaj narkotikëve.

Në vitin 2015, kur droga në Shqipëri kishte plasur sheshit, atëherë kur Dritan Zagani kishte denoncuar lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm me trafikantët, qeveria organizoi një tubim butaforik ku shpalli se 99.2% e kanabisit në vend ishte zhdukur.

Dhe që kjo të bëhej e besueshme, përpos fjalës së Ramës dhe Tahirit, që u mbajt në prezencë të ambasadorëve më të rëndësishëm në vend, e mori fjalën edhe ai amerikan. Po ta dëgjoni Donald Lunë sot, nuk do t’u besoni veshëve.

Për t’i dhënë besueshmëri propagandës së qeverisë që sapo ishte kapir në skandalin e denoncimit të parë për lidhjen e Tahirit me Habilajt, ai deklaronte në konferencën e quajtur në mënyrë qesharake: “Anti-droga një histori suksesi” se në “luftën kundër drogës është bërë një hap i stërmadh përpara”.

Kjo fjali e shkëputur nga arkivi i 2015, ashtu sikurse duket në videon.e Lapsi.al këtu poshtë, u përdor shpesh nga Rama si alibi kundër opozitës, për të thënë se në vend nuk kultivohej kanabis: “A nuk do fliste ambasadori i SHBA, nëse do qe e vertetë”, thoshte atëherë kryeministri.

njëjta gjë nuk është çudi të përsëritet edhe me deklaratat e Kim për të thënë se ndryshe nga ç’pretendon kritika, Rama ka përkushtim të stërmadh kundër korrupsionit. Enigma e vetme mbetet të zbulohet është nëse këta diplomatë gënjejnë me bindje për të zbatuar politikën e mbrojtjes me çdo çmim të këtij regjimi, apo thjeshtë peshkohen, përmes të tillash manifestimeve butaforike, që organizohen për t’i hedhur hi syve njerëzve. Ka nga ata që thonë se edhe Lu edhe Kim e dinë gjendjen reale, por ata përpiqen të bëjnë më të mirën për të përmirësuar sa të munden gjendjen. Por si nga naiviteti, si nga keqbesimi, rezultati është i njëjtë: po bëhet zakon që shqiptarët po dëgjojnë nga goja e kryediplomatëve amerikanë broçkulla që s’i beson askush, madje as ata të cilëve u shkojnë për shtat./LAPSI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here