Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar hartën e re gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Oerd Bylykbashi u shpreh në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve se konsultimet e KLGJ për të bërë hartën e re gjyqësore kanë qenë false, pasi në të kundërt avokatët nuk do të dilnin në protesta.
Ndërkohë, teksa analizoi në themel mbylljen e gjykatave, Bylykbashi tha se qytetarëve u mohohet drejtësia dhe se kjo do të stimulojë vetëgjyqësinë.
“Ne sot kemi raportin e deficiencës përpara. Në gjykimin tim, s’ka studim fizibiliteti. Nuk besoj te konsultimet falsi. Bojkoti i avokatëve tregon këtë. Po t’i kishit dëgjuar, do t’i kishit reflektuar. Ju kërkoni që harta të ndikojë në numrin e çështjeve. Është e vërtetë, do të ketë ulje të çështjeve sepse qytetarët do e kuptojnë që është e kotë t’i drejtohen drejtësisë sepse është e shtrenjtë dhe nuk e merr. Ndaj tani ka filluar ndërmjetësimi në mënyrë efektive dhe ndërmjetësimi po bëhet nga krimi i organizuar. Për çështje pronash apo çështje me vlera të larta, nuk u drejtohen më gjykatave, por u drejtohen atyre. Unë besoj e keni dëgjuar këtë. Janë edhe të kujdesshëm. Kjo është situatë që ndodh në Durrës, por jam i sigurt që ndodh edhe në vende të tjera. Drejtësia nuk është frenuesi i konflikteve në shoqërinë shqiptare. Drejtësia është në një grykë shishe. Për rrjedhojë njerëzit nuk do shkojnë te gjykata, por do të zgjidhet me vetëgjyqësi. Nuk ishte ky qëllimi kur bëmë reformën në drejtësi”, tha Bylykbashi.
Por në përgjigje të pretendimeve të deputetit demokrat, kryetarja e KLGJsë, Naureda Llagami, e hoqi përgjegjësinë nga institucioni që ajo drejton dhe ia kaloi ministrit Manja. Sipas saj, KLGJ kujdeset që të ketë një proces gjyqësor të rregullt, ndërsa për aksesin në drejtësi mendon Ministria e Drejtësisë.
“Harta gjyqësore është një dokument teknik. Ne garantojmë eficencën e drejtësisë. Gjykim të shpejtë dhe me cilësi. Është ministria ajo që merret me pjesën tjetër të aksesit në drejtësi”, tha Llagami.
Ndërkohë, argumentoi se mungesa e gjyqtarëve nëpër gjykata ssoli nevojën e përmbledhjes së tyre. Llagami deklaroi se i gjithë procesi ka kaluar në disa faza konsultimesh me dhomat e avokatisë në rrethe dhe më pas i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë.
“Janë bërë tetë takime konsultimesh publike. Kanë qenë të pranishëm përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë. Janë bërë edhe dy takime të tjera me përfaqësues të shoqërisë civile. Pas opinioneve që ka marrë grupi i punës, KLGJ ka miratuar raportin e vlerësuar mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe gjykatave. KLGJ, më datë 10 qershor, ka miratuar raportin vlerësues mbi riorganizimin e gjykatave nga 22 gjykata në 13, për Apelin nga 6 gjykata në një. Nuk po ndalem te çështjet e hartës për t’i lënë kohë më tej. KLGJ propozimin ia përcolli Ministrisë së Drejtësisë për konsultim me institucionet dhe më pas propozimi i përcillet Këshillit të Ministrave që është autoriteti që miraton hartën”, tha Llagami.
Por në një kohë kur gjyqësori po përballet me mungesa të gjyqtarëve për shkak të vetingut, deputeti i Lushnjës, Saimir Korreshi, ngriti të tjera akuza ku sipas tij ndihmësit ligjorë, edhe pse kanë më shumë se 1 vit që kanë përfunduar studimet, nuk janë emëruar ende nga KLGJ, madje nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Ndihmësit ligjorë ankohen se kanë një vit që janë diplomuar dhe nuk janë emëruar akoma. Madje, thonë se nuk kanë asnjë përgjigje. Pse nuk emërohen ndihmësit ligjorë? Në një kohë që kemi të bëjmë me një krizë në sistemin gjyqësorë”, tha Korreshi.
Ndërkohë, për sekretarin e përgjithshëm të Partisë Socialiste duket se nuk përbën shqetësim rritja e kostove për qytetarët për të aksesuar drejtësinë, pasi në relatimin e raportit vjetor të KLGJ, teksa u ndal te harta territoriale, ai u shpreh se vërtet mund të ketë kosto, por ka më shumë anë pozitive.
“Dua të jap dy konkluzione të asaj që synohet. Kjo do t’i shërbejë reduktimit të çështjeve dhe menaxhimit të fluksit të konflikteve që dalin. Këto janë çështje teknike. Si të menaxhosh fluksin në një territor të caktuar me një numër të caktuar gjyqtarësh. Procesi është teknik dhe teknik duhet trajtuar. Kjo mbetet për t’u parë dhe një seancë mund ta sqarojë këtë. Rregullim i hartës do të sjellë më shumë eficiencë dhe do të krijojë zgjidhje më të mira në shërbim të publikut. Ka avantazhe dhe disavantazhe. Problemi është se cila është më e madhe. Në përfundim dua të them që KLGJ e ka kryer misionin e saj kushtetues. Rekomandimet e Kuvendit janë marrë parasysh. E rëndësishme është si do miratohet harta e re gjyqësore nëse miratohet, që me shumë mundësi do të ndodhë. Ky proces ka ndodhur edhe në vitin 2007, ku u bë një hartë pa asnjë lloj kriteri. Edhe atëherë në disa rrethe ka pasur kundërshtime. Këto histori kanë qenë gjithmonë, nuk ndodh për herë të parë. Mund të ketë kosto ekstra për disa, por duhet t’i vëmë gjërat në balancë. Kur trendi është i tillë, shikohet si mund të reduktohen”, tha Gjiknuri.