Presidenti Joe Biden u bëri thirrje të mërkurën rafinerëve që të prodhojnë më shumë benzinë dhe naftë, duke thënë se fitimet e tyre janë trefishuar gjatë periudhës së luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa amerikanët përballen me çmime të larta karburanti.
“Dhimbja me të cilën po përballen familjet meritojnë veprim të menjëhershëm”, thuhet në një letër që Presidenti Biden u dërgoi shtatë rafinerive amerikane. “Kompanitë tuaja duhet të bashkëpunojnë me administratën time për të arritur një zgjidhje të shpejtë dhe konkrete, që trajton krizën”.
Në Shtetet e Bashkuara çmimet e karburantit janë mesatarisht rreth 5 dollarë për gallon (një gallon ka 3.78 litra). Çmimet e larta kanë krijuar një barrë e rëndë ekonomike në vend dhe përbëjnë një kërcënim politik për demokratët që përballen me zgjedhjet e pjeshme për Kongresin amerikan në nëntor.
Vitin e kaluar, shkalla e inflacionit filloi të rritej ndërsa ekonomia amerikane u ripërtëri nga pasojat e pandemisë. Por rritja e inflacionit u përshpejtua gjatë muajve të fundit ndërsa çmimet e energjisë dhe ushqimeve u rritën pasi Rusia sulmoi Ukrainën në muajin shkurt duke dëmtuar tregjet globale të mallrave.
Qeveria amerikane raportoi të premten se çmimet e konsumit ishin rritur me 8.6% nga një vit më parë, rritja më e madhe në më shumë se 40 vjet.
Presidenti Biden thotë se rafineritë po përfitojnë nga pasiguritë e shkaktuara si rezultat i luftës në Ukrainë. Mesazhi i tij, se babëzia e korporatave po kontribuon tek çmimet më të larta është bërë temë debatesh mes shumë ekonomistëve, megjithatë pretendimi mund të ketë njëfarë ndikimi tek votuesit. Letra e presidentit u drejtohet kompanive Marathon Petroleum, Valero Energy, ExxonMobil, Phillips 66, Chevron, BP dhe Shell.