Atdheu dhe dashuri- urrejtja që na mbyt!

0
150

Atdheu është një lëmsh i ngatërruar brenda vetes, që prodhon pambarim dashuri dhe urrejtje. Pse e them këtë, sepse gjithmonë ka anë që ia duam siç është dheu, gjuha, tradita, historia, ashtu siç ka anë që ia urrejmë, që lidhet vetëm me njerëzit që e kanë banuar këtë vend në epoka të ndryshme.

Por, çfarë ndodh kur njeriun e kaplon urrejtja dhe i mbyt arsyen. Ai kalon automatikisht në një skaj ekstrem, që emocionalisht arrijmë t’ia justifikojmë, por logjikisht na trandin trurin dhe shpirtin.

Historikisht ne kemi vuajtur nga sjelljet ekstreme, të cilat na kanë dëmtuar aq shumë sa na kanë katandisur në këtë gjëndje. Të djathtët ekstrem janë po aq të rrezikshëm sa të majtët ekstrem ( e ndaj këtë koncept për arsye shkrimi, se në realitet ky vend ka vetëm një lloj soji të ndarë në ngjyra të ndryshme dhe që kthehen në atë që përbën armatën e militantëve qorra).

Atdhetarët ekstrem janë po aq të rrezikshëm sa edhe tradhëtarët, pasi të dyja palët do përfundojnë në vrasje të pashmangshme dhe në fund është i njëjti lloj që vret vetveten. Pra ky vend ndahet në të ndershëm që e duan vendin dhe në batakçinj, por të dyja ekstremet e këtyre anëve janë po njësoj të dëmshme. I ndershmi ekstrem kthehet në naiv të rrezikshëm po aq sa kthehet në vrasës të frikshëm batakçiu ekstrem.

Këto kohë vërehet qartazi një tendencë e shfrenuar, për të përbaltur gjithëkënd, duke nisur nga figurat historike e deri tek studiuesit apo individët e thjeshtë. Kjo ka vetëm një përgjigje, historia paçavure që kemi, ku askush nuk e vë ujin në zjarr ta rishoh nën dritën e fakteve dhe të vejë haka tek i zoti, por edhe nga defekti gjenetik që kemi ndaj qasjeve ekstreme.

Kështu na ndodh kur lexojmë Konicën, një figurë me plot dritë hije, që duhet studiuar e faktuar, që as mos ta shohim si mit as mos ta rëndojmë pa të drejtë. Vetë kjo figurë prodhon dashuri sa edhe urrejtje, e kur shpesh fjalët e tij na duken të qëlluara, se e ka njohur mirë këtë racë, po aq edhe na duken të tepruar kur mendojmë kthjellët se a duhet një intelektual të vjelli aq vrer për bashkëkombasit e tij, por kur shohim këta bashkëkomabas të molepsur në të gjitha sa thamë më sipër i japim të drejtë dhe bashkohemi në urrejtjen që shpreh. Pra tallazitemi në këtë dashuri- urrejtje të ushqyer nga një sërë faktorësh.

Të gjitha figurat kanë dritëhijet e tyre, dobësitë e tyre se janë njerëzor, nuk janë pllakat e Moisiut të shkruara në mal e të pagabueshme, se citohen nga vetë zoti. Kush nga ne si qenie njerëzore nuk ka mëkate, të hedhi gurin i pari. Ndaj më duket kaq e urryeshme kjo gjueti shtrigash, për të nxjerrë çdo teori konspiracioni dhe përbaltur njerëz që mirë apo keq kanë punuar, kanë vepruar dhe kanë vënë një gur në ndërtimin e këtij vendi. Ne duhet të jemi shumë dritëshkurtër, që nga kafja apo krevati të ngremë gishtin e gjykimit, duke mos u pozicionuar së pari në atë epokë historike dhe të gjykojmë sipas rrethanave të caktuara të asaj kohe.

Nëse do i marrim të gjitha figurat, sigurisht do mundemi të listojmë që nga Skënderbeu e më herët e ndaç më vonë, një sërë faktesh pozitive dhe negative për gjithësecilin, por ajo që është absolute tek të gjithë është se e donin këtë vend. E sigurisht nuk ka dashuri pagabime. Këtu mjafton të them se shumë prindër nga dashuria, i kanë shpënë në rrugë të gabuar fëmijët e tyre, por nuk mund të themi se janë tradhëtar as se i urrejnë fëmijët e tyre, se të gjithë e dimë që dashuria e tepërt edhe të mbyt. Ndaj Aristoteli synonte drejt “të mesmes së artë”, duke iu larguar ekstremeve pikërisht për dëmet që sjellin në gjykim e më gjerë.

Ne, të palexuar, me një histori të sajuar, ngrihemi e japim mendime absolute e gjykojmë gjithëkënd. Me çfarë të drejte ne mund të hapim gojën e të themi çfarë na vjen nga zorra e ta shesim si të vërtet, në një kohë që e vërteta jonë është shumë e turbullt dhe e pafaktuar. Lexoj njerëz që gjykojnë për periudha të ndryshme historike e politike a thua kanë qenë pas derës së mbledhjeve të bashkimit, të tradhëtive dhe të interesave personale të gjithëkujt, në një kohë që në të sotmen që jetojmë, ka kaq prapaskena e hulli të nëndheshme sa nuk arrijmë të gjykojmë saktë se ku i rreh lepuri gjithësecilit. Guxim i madh më duket ta bëjmë këtë gaf për periudha që nuk i kemi jetuar fare dhe të pabazuar në fakte reale.

Ekstremiteti shkon deri aty, sa të ngatërrohet periudha e pavarësisë dhe figurat e saj me komunizmin, ashtu siç komunizmi merret si periudha më e artë nga ca të tjerë dhe asgjë para saj nuk ka ekzistuar. Merren nëpër gojë figurat e vendit që nga Fishta, Qemali, Naimi, etj etj, si me qenë shitësat e pazarit, që na kanë bërë hile në peshë. Duhet shumë kujdes para se të qasemi ndaj këtyre figurave, ku ne nuk kemi bërë as një të 100-tën e punës dhe përkushtimit të tyre.

 

Disa akuzojnë Fishtën, se u lidhë me nazizmin, por nuk dihet çfarë kuptojnë këta individ me bashkëpunim apo disa të tjerë, që shprehen se mbështeti ca figura për inat të disa të tjerëve, a thua e kishin në dhomë kur ua tha, e mbi të gjitha u vishet nuanca të tilla si; ky akt iu dha dorë të kuqve, të cilët u shfaqën shumë vite më pas në histori dhe i jep arsytimit të tyre krejtësisht të folmen e kodrave pas bregut.

 

Po, gjykojmë edhe poezinë e Naimit, se nuk paskërkësh qenë kaq e vyer, se vargu i tij është naiv etj etj, dhe harrojnë që vargu i tij ishte i qëllimshëm dhe me një ide të caktuar, atë të forcimit dhe ngjalljes se ndjenjës kombëtare, nuk ishte për të lëvruar anë të reja estetike të poezisë. Sepse vetëm thjeshtësia deri në naivitet mund të prekte popullin analfabet të atyre viteve, por që vazhdojnë ende të tillë.

A duhen thënë të vërtetat? Po, patjetër që duhen thënë dhe pafrikë kur janë të faktuara, ama gjykimi në fund duhet të bëhet në atë sesa të mira kishte më shumë sesa gabimet, e jo të hidhen poshtë kontributet dhe mundi i dikujt kështu me një të rënë të lapsit, dhe të kërkojnë gjithë zell si gjilpërën në kashtë një gabim, që t’i turren. Duhet të ketë ca standarte kur gjykojmë mbi një figurë dhe një epokë, të cilat bëjnë qartë diferencën dhe nuk merren me grimca gabimesh, por me thelbin.

Për të ilustruar mendimin, po marr disa shembuj: Për Gjergjin e madh, dëgjoj arsyetime që ai pati shumë gabime se e la vendin 25 vjet në luftë. A mund të gjykohet ky fakt në atë periudhë historike për mbijetesë ku shumica e popujve ishin të përfshirë në luftra të vazhdueshme?? Sërisht për të thuhet se nuk luftoi për vendin, por për krishtërimin.

A mundet dikush të më gjej një fakt, ku ai ia shiti vatanin vendeve të krishtera në emër të fesë, që të bazohet disi ky argument? Sërish për të thuhet se i bëri bashkë shqiptarët me shpatë, por a mundet dikush të thotë se qëllimi i tij ishte vrasja dhe jo bashkimi me çdo kusht?? A mundemi unë e ti të bëjmë diçka më të mirë, që të na jap të drejtën e baltosjes?? Pyeteni veten sa këllqe keni, para se të flisni. Se për mend jemi të tërë gjeni…

Kalojmë në një epokë tjetër, te Pirrua i Epirit. Lexoj në një enciklopedi britanike, se ishte një gjeneral i turpshëm dhe se shprehja “fitore si e Pirros” shpreh paaftësinë e tij në drejtim ( pak a shumë ideja jo e perifrazuar). Nëse do kishte një akademi shkencash, siç kanë gjithë vendet, duhet të kishin dërguar një notë proteste me gjithë faktet historike, për ta hequr këtë pasazh kaq fyes. Pasi në luftra ka vërtet edhe humbje të thella edhe fitore të tilla, por kjo nuk duhet të jetë etaloni i gjykimit të një figure, nuk di çfarë do bënin grekët po të hasnin një shënim të tillë për figurat e tyre, por ne nuk kemi akademi kemi vetëm dallkauk.

Shkojmë te Ali Tepelena, një figurë poliedrike, që kanë shkruajtur emrat më në zë të historisë botërore, ka mijëra faqe që shpalosin diplomacinë e tij dhe shumë vlera të tjera, por për ne dallkaukët mbetet kaçaku që vrau. Sepse ne jemi aq malinj, që edhe pse bota na njeh përmes këtyre figurave nxitojmë t’u vërvisim nga një copë baltë. Në thelb gjykohen sipas qëllimit dhe arritjeve jo sipas ndoca gabimeve, që ne duhet të mos u japim më shumë rëndësi sa kanë, jo të mos i themi, se historia flet gjithshka, por asesi të bëhemi gjykatësit, kur nuk kemi as mjetet e duhura për ta bërë. Pra dijen dhe objektivitetin.

Të ndalemi pak tek një figurë tjetër, që e kam hasur në diskutime këto ditë, Avni Rustemi. Një figurë më e vogël për nga rëndësia sesa të parët, por mbetet një figurë. Tani dua të më shpjegoj ndonjë historian pe vërteti se çfarë e lidh Avninë e shkretë një mësues imcak me komunizmin, që mund të shihet si një tabelë qitjeje vetëm se Enveri nuk e shpalli tradhëtar?? Nuk e shpalli se ishte kundra Zogut, etj etj, të gjitha këto nuk përbëjnë argument llogjik për ta baltosur.

Ashtu siç nuk mund të aludohet se Fishta në fjalimin që mbajti për të, e bëri nga inati, sepse nuk hynte te kalibri atyre burrave, që bënin gjuajte poshtë brezit nëse nuk kishin bindje, si këta të sotmit. Po sigurisht, e mendojnë si në vete duhet thënë dhe me kutin e tyre i japin të drejtë absolute gjuhës të nxjerrin gjithëfarë xhevahiresh. Këtu u shumuan këpucarët dhe teneqexhinjtë dhe ndaj i bien teneqesë sa na shurdhojnë.

Pas kësaj do të rikthehem edhe njëherë te Selam Musai, të cilit iu përdor sërish emri e si të mos mjaftonte duhet të mbante mbi vetë edhe vrerin e injorancës së kësaj shoqërie ekstremiste dhe të përçudnuar. Dhe filluan që me ngatërrimin e epokës duke e quajtur komunist, që i ziu as e kish haberin që do shfaqej kjo sëmundje dhe as nuk mban përgjegjësi, por meqë Enveri zhduku shumë e shumë figura të ndritura, duke i quajtur tradhëtar dhe mbajti disa që ishin më të vegjël e nuk ishin nga artistokracia që ai korri, për të bërë një trushpëlarje që ja unë si shaj të gjithë, kjo nuk duhet t’u fuqis mushkritë e sëmura për të shfryrë pamend. Ky arsyetim banal nuk duhet të jap të drejtën të sulmosh dikë, që nuk i solli kurrë keq këtij vendi.

Për t’u kthyer tek e sotmja, më duhet të them që ne kemi probleme të rënda si shoqëri dhe duhet t‘i largohemi ekstremiteteve e të përqafojmë qasjet e mendimit, jo të injorancës së indoktrinuar në pro apo kundër. Historia jonë duhet rishkruar, por kurrësesi nga shqiptarët, të cilët do vazhdojnë të bëjnë paçavurllëqe sipas mendësisë ekstreme që kanë. Edhe gjuha standarte duhet rishikuar ( por sidomos fjalori, që është i cunguar dhe beter i zotit, për sa i përket shpjegimeve reaksionare akoma), por edhe kjo nga të huajt, se duke marrë parasysh urrejtjen dhe këto qëndrime ekstreme kushedi ça monstre na pjellin.

E këtu do shtoja, që edhe gjuha arbëreshe është shqipe autoktone ashtu si gjuha çame, ndaj nuk i është hyrë në hak vetëm gegnishtes por dhe labërishtes e gjithë të tjerëve, se gjuha toske e standartit ndryshon shumë nga këto të tjerat, për ata që nuk dinë ta bëjnë dallimin dhe shkojnë deri aty sa kërkojnë të shkruajnë fshtaçe po vetëm në standart jo. Në një kohë që e gjithë bota ka një gjuhë zyrtare, të cilën e përmirësojnë diskutojnë, por nuk përcjellin urrejtje të tilla krahinore të trupshme. Ndaj ti tirans që do të shkruash çapraze bëje, dhe ka plot libra të botuara në këtë dialekt si nga të gjithë dialektet, ama kur të më drejtosh një shkresë zyrtare do përdorësh standartin kushdo qoftë ai, se ndryshe vulos injorancën tënde, nuk fyen askënd tjetër të jesh i sigurt.

Pra, ta kemi të qartë, se pa hequr dorë nga të bërit si gjitholog nga copëza konspirative që i marrim për histori, nga ndjesitë ekstreme, krahinizmat etj etj, nuk do kemi gjë për vije. Do katandisemi edhe më keq e nuk është çudi që të përfundojmë në një luftë civile për kokërr të qefit dhe për t’u çuar ujë në mulli të gjithë atyre që e financojnë dhe e mbjellin këtë frymë të keqe. Mendohuni pastaj flisni, lexoni e bëni ndonjë vepër të mirë para se të gjykoni.

Përsa u përket ektremistëve të majtë dhe të djathtë që nyjën e golgotës e kanë në ’41-shin , që hidhen përpjetë se ballistët i sulmoi Enveri padrejtësisht apo se ballistët vranë partizanët. Duhet ta marrin shtruar e të ulen të shkruajnë historinë, jo të na hutojnë shpesh edhe të paguar e ndoshta më shpesh nga bindje naive pro apo kundër.

Ndoshta programi i ballit ka qënë i mirë, se donin të ndiqnin shembullin e greqisë e ta hiqnin komunizmin, por nuk u eci ( se do kishim qenë në një situatë krejt tjetër sot, nëse do kish ndodhur). Por, ky fakt nuk mund të fshehi që në zbatim, ne kaluam në një luftë civile ku shqiptari vrau shqiptarin, se po aq sa vranë komunistët, aq vranë edhe ballistët. Këtu nuk do i referohem asnjë fakti historik përveç asaj që më ka treguar im gjysh kur u kapën nga ballistët. I cili provoi edhe përndjekjen komuniste më pas.

Ishin 16 djem, më i madhi si kalonte 25- vjeç ( këtu vlen të kujtojmë që këta vërtet ishin partizanë, po asnjë nuk e kish idenë seç ishte komunizmi, siç e përshkruan qartë Petro Marko tek “Retë dhe guret”, qëllimi i tyre ishte lufta për çlirimin e atdheut, ku u thuhej se ballistët ishin bërë me gjermanët, se ashtu i shihnin të shoqëruar në fakt dhe është faji i tyre që nuk ditën të jenë diplomatë e më të qartë në synimet e tyre) dhe u kapën nga ballistët. I rreshtuan dhe kur i pyetën për emrat, njëri prej tyre e heq nga rreshti gjyshin tim dhe thotë:

 

Ky është djali i mikut tim dhe është i vetëm, i jati i tij kish luftuar në luftën e Vlorës e njiheshin në zonë, ndaj nuk do pushkatohet. Por, të gjithë ata djem mbetën të pushkatuar. Lind pyetja a nuk mundeshin t’i mbanin robër këta djem shqiptarësh të pafajshëm e të mos i vrisnin si armiq?? Se për komunistët nuk e shtroj këtë pyetje, se kemi të qartë seç janë. Por, ama edhe këta t’i mbajnë ca faje e të mos na bëjnë si shenjtë. Se si kanë ndodhur, kush i nxiti e kush i nxiu këto i takojnë historisë të na i zbardhë dhe akademisë sonë të shkërrmoqur. Deri atëherë ne do endemi në hamullinë e dashuri – urrejtjes. Por, askush nuk mund ta mohoj që historia jonë është e mbushur me vllavrasjeje dhe do na përndjeki gjatë Abeli dhe Kaini.

Së fundmi po e mbyll me një njeri që u nda nga jeta ditëve të fundit. I nderuari Moikom Zeqo. Një figurë e kontestuar për shumë arsye. Këtu duhet të ndalem pak për mënyrën sesi gjykojmë ne si individ, pa i vendosur vetes ca standarte më së pari. Ne nuk dalim në një protestë për një vend pune, për një copë bukë, ndaj nuk kemi sy e surrat të gjykojmë këta njerëz që jetuan në një nga sitemet më të egra diktatoriale. Nuk është e fshehtë që shumica në atë rregjim i shkruajtën partisë dhe njollosën intelektualët e patriotët që i shpalli partia armiq, se donin të botoheshin.

A është krim të ëndërrosh të botohesh e t’i japësh mundësi vetes të studiosh e mbijetosh??
Kur diskutojmë, për ata që u dënuan për fjalën e lirë e rezistuan etj etje, padiskutim që janë një vlerë absolute, që na japin shembullin e njeriut të lirë e krenar. Por a të bën njeri të keq, fakti që nuk je aq trim, sa të tjerët. Fakti që nuk kundërshtove hapur e u tregove pak egoist për veten, duke parë që edhe po ta bëje nuk do ndryshoje gjë, se vetëm burgu do të të priste??! Pra, ne nuk mund të dalim me një shpatë në dorë e të themi ky bënte ky nuk bënte, por ka ca standarte gjykimi, sipas kësaj rradakes sime të vogël.

E para, duhen gjykuar të gjithë ata që pranuan të hedhin firmat për marrjen e jetës së dikujt tjetër. Të gjithë ata që ishin pjesë e makinerisë vrastare. Por, nuk mund të baltosim çdo njeri se nuk doli kundra, po heshti apo u servilos. Për hir të së vërtetës unë njoh plot njërëz të mirë që kanë punuar në atë sistem, që kanë qenë komunist, që kanë heshtur, por në përditshmërinë e tyre kanë punuar heshturazi, për të shpëtuar shumë njerëz nga kthetrat e hetusisë. Ndoshta edhe sot këta janë komunist në bindje, se shohin çfarë çorbe kemi gatuar ne këto 30- vjet, e nuk u vë hiç faj, por unë nuk i quaj dot të këqinj këta njerëz vetëm për mendimin e tyre ndryshe. Ndaj duhet parë me gjakftohtësi veprimtaria e gjithësecilit, nuk mundesh ta baltosësh si të të teket, por në bazë të disa pikave të caktuara. Dikush u rezistoi torturave, dikush jo se është më i dobët, tani të ngremë gijotinën e t’u biem të gjithëve? Jo, ka nga ata që i kanë duart me gjak e duhen dënuar, por ka edhe nga ata që servilosja e tyre, nuk i solli dëm askujt, përveçse mbijetesës personale. Aq më tepër në rastin konkret, kur japin një kontribut jo të vogël për kulturën e këtij vendi. Kjo jo për të bërë apologji, por për të qenë të drejtë.

Ndaj është shpirtvogëlsi të merresh me të tilla, kur sot ky vend në liri është i mbushur me servila që nuk do ndryshojnë kurrë fal injorancës e shumë problemeve të tjera. Këta njerëz pas rënies së regjimit kanë mbajtur qëndrime dinjitoze në të mirë të vendit pakompromise. Këtu përmend qëndrimet e të ndjerit ndaj shkatërrimit të Durrësit dhe teatrit. Edhe nëse ish komunist, kjo nuk e bën njeri të keq. Mësohuni të respektoni të ndryshmin.

Përfundimisht, këto i përkasin historisë dhe derisa të bëhet një e vërtet dhe e paanshme, ne nuk duhet të haemi e përçahemi me njëri- tjetrin. As nuk duhet të bëhemi gjykatës e as viktima ( përjashtoj këtu viktimat reale dhe xhelatët real). Para se të na flasi goja duhet të na flasi mendja. Që mos të na ngec ky copë atdheu si lëmsh në fyt e të na mbysi herë urrejtja e herë dashuria.

Ne duhet të mësohemi t’i largohemi qasjeve ekstreme se janë fillimi dhe mosfundi i çdo fatkeqësie. Çdo epokë ka të mirat dhe të këqijat ashtu si çdo figurë ka dritëhijet e veta. Medalja ka dy anë, por varet cila anë ka shkëlqyer më shumë, këtë duhet të zbardhim e mos të merremi me cingërima, se siç thotë populli edhe arit të kulluar i gjendet gërvishtja. Por, ne nuk duhet të merremi me gërvishtjet kur ka ar dhe as të fshehim thellomat e gërvishtjeve me grimca ari. Për të arritur këtë, duhet të mësojmë të gjithë “ të mesmen e artë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here