Akuzohej se dogji Gjykatën e Lartë me porosi të Pablo Escobar, ish-guerilasi bëhet President i Kolumbisë

0
115

Gustavo Petro është Presidenti i ri i Kolumbisë, i pari nga radhët e të majtëve në historinë e vendit, pasi fitoi të dielën zgjedhjet me diferencë të ngushtë ndaj rivalit.

62-vjeçari, ish-revolucionar i armatosur, garonte për herë të tretë për postin më të lartë politik të vendit amerikano-jugor dhe mundi në garë kandidatin e pavarur, 77-vjeçarin Rodolfo Hernandez, të njohur ndryshe edhe si “plakushi i TikTok-ut”, për shkak se të gjithë fushatën presidenciale e bëri në rrjetin social me vetëfinancim, duke refuzuar të gjitha aleancat me partitë e mëdha.

Gjatë fjalimit të fitores të mbajtur të dielën, Petro bëri thirrje për një marrëveshje të madhe kombëtare që do t’i japë fund dhunës në vend. “Tani po vjen ndryshimi i vërtetë, i kemi kushtuar jetën këtij objektivi. Nuk do të tradhtojmë zgjedhësit që kërkuan ndryshim në Kolumbi”, tha ai.

Petro kishte garuar më parë në vitin 2010 dhe 2018 për t’u bërë president. Dikur ai konsiderohej si një ekstremist i majtë, ndërsa sot arriti të mbushë mendjen e shumicës së kolumbianëve për ta zgjedhur në krye të vendit, një gjë e rrallë në një prej shteteve më konservatorë në Amerikën e Jugut.

Duke i qëndruar besnik prirjeve të majta, Petro ka premtuar rritjen e taksave mbi korporatat dhe subvencionim nga shteti për klasën punëtore dhe shtresën e varfër.

E kaluara e errët

I lindur në qytezën veriore Ciénaga de Oro, Petro e kaloi rininë në radhët e lëvizjes guerile M19, të krijuar për të kundërshtuar zgjedhjet e vitit 1970. Grupi ishte pjesë e njësive guerile që shpërthyen në të gjithë vendin në ato vite, nën ndikimin e Revolucionit Kuban.

M19 akuzohej shpesh për aktivitete të paligjshme, si rrëmbim personi, por Petro thotë se nuk ka qenë pjesë e tyre, duke u marrë vetëm me mobilizimin e njerëzve për t’i bërë ballë “demokracisë falës” të atyre viteve.

Në vitin 1985 Petro ishte në burg për armëmbajtje pa leje, por akuzohet se ka qenë mes orkestruesve të sulmit famëkeq të M19-tës në selinë e Gjykatës së Lartë të vendit, ku 98 persona humbën jetën, mes tyre edhe 12 gjyqtarë. Petro i mohon akuzat, pasi thotë se nuk kishte kontakte me shokët e tij për shkak se ndodhej në burg.

Ushtria kolumbiane shoqëron një grup gjyqkatësit që largohet nga Pallati i Drejtësisë në Bogota, më 6 nëntor 1985

Autoritetet kolumbiane dhe amerikane të kohës akuzuan kartelet e drogës se kishin financuar sulmin, me synim shkatërrimin e dosjeve kriminale të trafikantëve, por një hetim i vitit 1986 doli në përfundimin se kjo nuk ishte e vërtetë. Megjithatë, djali i Pablo Escobar, ka rrëfyer vite më vonë se babai i tij, edhe pse nuk ishte ideator i planit, u kishte dhënë miliona dollarë guerilasve për shkak se mbështeste idealet e tyre.

Në vitin 1987, Petro doli nga burgu. Pas 18 muajsh në qeli, perspektiva e tij politike dhe ideologjike kishte ndryshuar. Aty ai kuptoi se pushteti nuk mund të fitohej me revolucion të armatosur. Grupimi M19 hyri në negociata paqeje me qeverinë dhe Petro vendosi ta luftonte sistemin nga brenda.

Nga revolucioni i armatosur, tek ai shkencor

Për të qetësuar mosbesuesit, Petro është zotuar se nuk do të përvetësojë pronën private në Kolumbi, siç ka ndodhur në disa shtete të tjera të rajonit kur ekstremistët e majtë kanë marrë pushtetin, si dhe ka lënë të kuptohet se do të emërojë një “të moderuar” në postin e ministrit të Ekonomisë.

Kritikët thonë se ai është shumë teorik dhe i shkëputur nga terreni. Edhe bashkëpunëtorët e tij në fushatë e quanin “Petro shpjeguesi”, për shkak të tendencës për të dhënë leksione gjatë fjalimeve të tij. Për të ekuilibruar perceptimin, gjatë fushatës ai është parë shpesh të vizitojë zona rurale, duke folur me popullsinë vendase për problemet e tyre.

Bogota: Një mbështetëse e kandidatit Gustavo Petro, feston në lot fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale

Ish-guerilasi – i cili mbante në luftë emrin Aureliano Buendia, nga romani i realizmit magjik, “100 vjet vetmi”, i Gabriel Garcia Marquez  – tani shpreson të nisë një revolucion shkencor në vend. Për këtë, u ka kërkuar ekonomistëve që t’i hedhin një sy propozimeve të tij. “Realizmi magjik vjen nga zemra, ndërsa propozimet e mia dalin nga truri. Për të qeverisur, të duhen të dyja”, tha ai në një prononcim për CNN.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here