E mbylli me bardheblutë, Partizani tenton futbollistin që u shpall kampion me Tiranën

0
143

Lojtarët e larguar nga Tirana duket se janë “preja” e preferuar e Partizanit në merkato.

Nëse vetëm para pak ditësh të kuqtë zyrtarizuan firmën me Engjëll Hotin, “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se të kuqtë kanë bërë lëvizje konkrete për të firmosur me Mario Beshirajn.

22-vjeçari i rritur në akademinë e Tiranës nuk ishte në planet e trajnerit Orges Shehi dhe klubi kampion vendosi t’i ndërpriste kontratën për t’u transferuar në një tjetër skuadër, ku të ketë më shumë mundësi për të treguar veten.

Dhe duket se Partizani është më pranë sulmuesit, i cili mund të luajë në qendër, por edhe në krahë të sulmit.

Për momentin palët janë në negociata, teksa vendimtar do të jetë projekti që të kuqtë kanë për të riun nga kryeqyteti.

Beshiraj në këtë sezon grumbulloi vetëm 213 minuta në kampionat dhe në Kupë me Tiranën, por arriti të shënonte tre gola.

Te Partizani duket se kanë parë aftësitë e duhura te Beshiraj, i cili mund të jetë një alternativë për Skukën në qendër të sulmit, por edhe për sulmuesit anësorë.

Nëse ndodh, kalimi te Partizani do të ishte një shans shumë i mirë për të riun./PanoramaSport/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here