Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në konferencën e sotme se “Të rikthejmë Shqipërinë në rrugën evropiane” se vendimi skandaloz për të bojkotuar samitin e BE-së, u mor në Beograd.
“Në këtë proces të Ballkanit të Hapur u konsoliduan lidhjet me Beogradin dhe Moskën dhe ne jemi dëshmitarë të këtyre. Ky proces solli një përçarje dhe luftë të ftohtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky proces solli atë që asnjë shqiptar që sheh si të ardhmen më të mirë BE-në, nuk mund ta imagjinonte.
Ndodhi që një aventurier, një vasal, një apatrid, pa interesa vendi dhe interesa kombëtare, të deklarojë dje se refuzoj ftesën, nuk kam pse shkoj në Bruksel. Ky vendim merret absolutisht përpara në Beograd, shpallet nga padroni i tij.
Ai të paktën me njëfarë etike, se thotë do mbledh qeverinë. Kurse ky i bindet padronit”.
“Kurrë ndonjëherë fati ynë nuk ka qenë më larg duarve tona se këtë radhë. Kurrë ndonjëherë fati ynë nuk është përcaktuar në Beograd si tani. Aleanca trelaterale është pro-ruse dhe anti-BE.
Edi Rama deklaroi se do ndryshojë drejtimin dhe dje ai shpalli ndryshimin e drejtimit. Ai mes Brukselit dhe Beogradit, zgjodhi Beogradin. Ai zgjodhi Ballkanin ruso-serb. Sikur këtu të mos ishte një popull, që ka aspiratat më të larta për integrimin evropian”.