Pagesa e papunësisë, raporti: Të rishikohet formula, do të nxisë formalizimin

0
122

Kriza që shkaktoi pandemia e COVID-19 në vitin 2020 dhe 2021 shihet si një mundësi për qeveritë që të reflektojnë në politikat e tyre për goditjet e ardhshme.

Një raport i Bankës Botërore (BB) dhe Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) bën një analizë të përfitimit të pagesës së papunësisë dhe ndikimit që mund të ketë përmirësimi i këtij sistemi në mbrojtjen sociale në kohë krize.

Kështu, sipas raportit teksa Shqipëria ka një sistem sigurimi social, përfitimet e papunësisë nuk përkojnë me synimin për të mbështetur punonjësit në tranzicion ndërmjet ndryshimit të vendeve të punës, pasi përfitimi me normë fikse nuk është i mjaftueshëm për të garantuar një nivel të përshtatshëm të ardhurash gjatë periudhave të papunësisë; dhe aftësia për përfitim është e kufizuar, siç ilustrohet nga mbulimi i ulët i të papunëve

Dokumenti vlerëson se ka disa çështje që qeveria duhet t’i marrë parasysh për të përmirësuar mbulimin e përfitimit të papunësisë, të cilat variojnë nga reformimi i parametrave të sistemit tek modernizimi i procesit të aplikimit.

“Në të njëjtën kohë, përvoja globale sugjeron që sistemi i përfitimit të papunësisë mund të luajë një rol në përgjigjen ndaj krizave të ardhshme, duke përdorur sistemin e tij të shpërndarjes për të arritur njerëz të tjerë që kanë humbur punët e tyre për shkak të një goditjeje ose duke modifikuar përshtatshmërinë ose kohëzgjatjen e përfitimeve të papunësisë kur shoqërohet me financim të dedikuar” thuhet në raport.

Për këtë, dokumenti vlerëson se Shqipëria mund të marrë në konsideratë:

Reformimin e përfitimeve të papunësisë, duke paguar përfitime më të larta bazuar në një normë zëvendësimi me një lloj shkallëzimi rishpërndarjeje. Si i pari hap, një analizë e detajuar duhet të informojë rishikimin e mundshëm të formës që kanë parametrat e sigurimit të papunësisë, të tilla si: (i) shuma e përfitimit, (ii) kohëzgjatja e përfitimeve, (iii) periudha minimale e kontributeve, dhe (iv) norma e kontributit, me synimin që ta bëjnë përfitimin më kuptimplotë për të papunët dhe në këtë mënyrë nxit disa punonjës të zyrtarizohen, ndërkohë që siguron që pagesa e papunësisë mbetet plotësisht e financuar nëpërmjet kontributeve gjatë periudhave pa kriza.
Modernizimi i procesit të aplikimit për përftimin e pagesës së papunësisë. Kjo mund të bëhet duke përdorur aplikimet online, me verifikim të kryer nëpërmjet ndërveprimit me baza të tjera të dhënash ndërinstitucionale siç është administrata tatimore.
Të marrë parasysh vendosjen e rregullave që do të udhëheqin reagimin ndaj goditjeve përmes sistemit të përfitimit të papunësisë duke marrë në konsideratë në mënyrë të të kujdesshme mundësi të tilla si lehtësimi i disa kritereve më strikte si dhe kohëzgjatja e përfitimit në kohë krize e lidhur me një burim të organizuar financimi i cili do të përcaktohej në një Strategji të Financimit të Risqeve nga Fatkeqësitë.
Të konsiderojë elemente novatore që vende të tjera kanë prezantuar për të zgjeruar mbrojtjen sociale. / Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here