Partia Demokratike doli në një deklaratë për mediat për të komentuar raportin e fundit të Eurostat, ku theksohet se Shqipëria është e fundit në Europë sa i përket të ardhurave për frymë. Anëtari i kryesisë së PD-së, Eno Bozdo, tha se këto të ardhura janë ‘sa për të mbajtur frymën’.
DEKLARATA
Qeveria Rama vazhdon të thyejë rekorde në vend-numëro dhe mbrapa-ecje.
Eurostat, në një klasifikim të fundit, e rendit vendin tonë në bisht të Europës në të ardhurat për frymë për vitin 2021.
Që do të thotë se mesatarja e të ardhurave të një shqiptari është sa 32 përqind e një qytetari europian. Çka do të thotë: më shumë se tri herë më pak.
Shqipëria renditet më poshtë se të gjitha vendet e rajonit duke ndjekur madje edhe vende të pastabilizuara politikisht si Bosnje Hercegovina.
Maqedonia është 10 pikë përqindje më lart se Shqipëria. Serbia 12 pikë më lart. Mali i Zi kryeson rajonin, duke shënuar thuajse gjysmën e të ardhurave për frymë të mesatares së BE.
Për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për anëtarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet plot një shekull.
Edhe në konsumin individual për frymë, që tregon fuqinë blerëse të qytetarëve dhe mirëqenien e një vendi Shqipëria është e fundit.
Jemi të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare.
Pra, siç shihet “qentë lehin, por karvani NUK bën përpara”.
Shifrat e Eurostat-it e bëjnë me dije fort mirë se kush janë qentë.