Trendi i fundit që ka përfshirë të gjithë të rinjtë është aplikacioni “TikTok”. Por një 21-vjeçari në Tiranë i ka kushtuar shumë një video e publikuar.
Policia ka bërë me dije se pas publikimit të një videoje në rrjetin social TikTok, në të cilën i riu shfaqej duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin E. D., 21 vjeç, i cili drejtonte mjetin duke përdorur celularin, pa vendosur rripin e sigurisë dhe pa leje drejtimi.
Gjatë testit të kryer me AquilaScan rezultoi se ky shtetas drejtonte mjetin, nën efektin e lëndëve narkotike. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.