Ditë më parë, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara hoqi të drejtën ligjore për abort në disa shtete të SHBA.
Kjo ka bërë që në Shtetet e Bashkuara të vijojnë shumë reagime lidhur me këtë çështje, me shumë prej figurave publike, të cilët këtë vendim po e cilësojnë si diskriminim ndaj grave.
Artistja shqiptare me famë botërore, e cila jeton dhe vepron në SHBA, Bebe Rexha, bëri gjithashtu një reagim të ashpër në llogarinë e saj zyrtare në Twitter.
“Armët kanë më shumë të drejta se gratë në Amerikë për momentin”, shkroi 32-vjeçarja interpretuese e hitit “I’m a mess”.
Më tej, ajo shpërndau në Twitter edhe një thirrje, e cila është shndërruar në fushatë senzibilizuese, ku tregon rrugën se çfarë mund të bëjnë tani e tutje qytetarët kundërshtues të këtij vendimi.
Në letër thuhet se është mirë t’i bashkohen një proteste lidhur me këtë çështje, ato që duan të abortojnë të mbajnë pilula aborti me vete dhe të bëjnë kontrolle të rregullta, si dhe është mirë që të bëhet presion në qeveritë e shteteve përkatëse, që të bëhet thirrje për legalizim të abortit.