Në Shqipëri, korrupsioni cilësohet nga qytetarët si kërcënimi më i madh i sigurisë.
Kjo është gjetja kryesore e “Barometrit të Sigurisë 2022”, publikuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Anketimi vëren se korrupsioni është rritur, e bashkë me të edhe mosbesimi i qytetarëve mbi luftën kundër tij.
Barometri i Sigurisë 2022 ka nxjerrë për të katërtin vit rresht korrupsionin si kërcënimin më të rëndë, nga shumica e qytetarëve të anketuar, madje më i rëndë se sa krimi i organizuar apo lufta me fqinjët, pandemia apo terrorizmi.
I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, për të folur më shumë në lidhje me këtë rezultat ishte eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko.
Ceko u shpreh se korrupsioni është e keqja më e madhe e këtij vendi, teksa citoi edhe artikullin nga revista zvicerane.
“Korrupsioni është e keqja më e madhe e këtij vendi, unë do të citoj një revistë zvicerane para pandemisë, e cila kishte evedientuar dy gjëra
1. Shqipëria është vendi ku qytetarët kanë jetën më të komplikuar në Europë dhe meqenëse qytetarët kanë jetën më të komplikuar e vetmja mënyrë për të mbijetuar është korrupsioni.
2.Shqipëria është vendi ku është më i vështirë por të qëndruar i ndershëm. Në çdo hap të jetës gjendesh përballë mik-marrjes, fakti që ne kemi më shumë se dyfishin e të punësuarve në administratën publike e tregon këtë fakt. Të gjithë duan të bëhen juristë, por jo juristë në sektorin privat por të punojnë në institucionet publike”, u shpreh Ceko.