2 korrik 1990: Goditja e titanëve gjyslakuriq !

0
335

Nga Artan Fuga

2 korrik 1990: Goditja e titanëve gjyslakuriq !
Nuk mund të harrohet 2 korriku 1990 kur djem nga Tirana, por edhe të ardhur nga e gjithë Shqipëria, pasi ishin mbledhur gradualisht në rrugët kryesore të Tiranës, çanë muret dhe gardhet rrethuese të ambasadave të huaja në Shqipëri dhe u instaluan atje. Kërkonin mbrojtje dhe mbështetje për t’u larguar nga vendi në botën e lirë!
Nuk besoj se ka ngjarje më të rëndësishme sesa ajo, në këto tre dekada, dhe ka arsye të mëdha se përse lihet në harresë, pothuajse. Ishte ditët kur Tirana kishte vapë si sot, zhvillohej kampionati europian i futbollit, dhe nuk dihej se mijëra e mijëra banesa ushtonin nga thirrjet dhe brohoritjet: për golat apo për çdo goditje që këta djem titanë, të vuajtur, të papunë në të shumtën e herës, ose me profesione të rënda fizike, trondisnin kordonin policor duke kapërcyer në zonën e ndaluar. Ishte dita kur Kuvendi I Kosovës shpallte pavarësinë juridike në Millosheviçin. Kosova shpallte Pavarësinë, Shqipëria shpallte lirinë në rrugët e saj.
Ata rrinin shpesh ulur në trotuare e bordure rrugës, sidomos te shkallët e Pallatit të Kulturës, në lulishte. Mbaj mend se një pjesë e madhe nga vapa dhe ankthi, vendosmëria që u ziente përbrenda, kishin hequr këmisha e kanotjera dhe qendronin në mes të Diellit me gjokset lakuriq. I kishin vendosur gjoksin historisë.
I kam në kujtesë si titanë, titanë që dhanë goditjen dhe ikën!
Pa dyshim një nga pesë a gjashtë ngjarjet që kanë përcaktuar historinë e Shqipërisë në shekullin e njëzet dhe njëzetenjë. Kur Lenini në nëntor të 1917 për hesapet e tij, u thoshte të revoltuarve, jemi në një ditë ku çdo orë mund të ndryshojë historinë e shekullit tone, duke kujtuar ata djem, titanë, them se ata në 24 orë ndryshuan të gjithë historinë e Shqipërisë për shekujt që do të vinë. E grryen historinë në drejtimin e duhur, dhe ikën!
Normalisht që në mitingun pas ikjes së atyre titanëve propaganda do të mblidhte burokratë zyrash, militantë në shesh dhe do t’i quante : Jashtëqitja e kombit! Kështu e kanë propagandat e ndyra: Heronjtë i bëjnë keqbërës dhe keqbërësit i bëjnë heronj! Maskarenjtë i bëjnë të ndershëm dhe të ndershmit budallenj! Ky është heroizmi i titanëve. Ata nuk u prangosën nga epitetet e propagandës të diktaturës! Përpara se të çanin gardhet e oborreve të ambasadave, ata kishin çarë rrethimin propagandistik në kokën e tyre! Kishin vendosur : Ja të lirë, ja të vdekur!
Çfarë nuk i quajtën! Pooooo, shumica e tyre ishin pa ndonjë shkollim të veçantë, pa diploma universitare, jo intelektualë, ndofta me nivel kulturor nën mesataren! Por, çfarë rëndësie ka kjo kur titani bën histori.
Titanët nuk merren me libra e fletorka!
Propagandat i kanë rrënjosur në kokë njerëzve se historinë e bëjnë intelektualët! Një e pavërtetë e lemerishme. Historinë e kanë bërë gjithmonë ata që në momentin e duhur, kanë dhënë goditjen fatale të shkuarës! Ndofta që edhe bukurshkrim nuk bënin dot, nuk zgjidhnin dot një ekuacion të gradës së dytë, nuk dinin një vjershë përmendësh! Janë ata, shkruan Niçja, që e ndjejnë të parët rrënimin, vuajtjen, janë ata që duke mos pasur më çfarë të humbin, japin goditjen fatale të keqes!
Cfarë bënin intelektualët? Intelektuali bën shumë gjëra të tjera shumë të rëndësishme, por mos kërkoni të jetë titan! Intelektualët janë para ngjarjes, ose pas ngjarjes, por jo në ngjarje. Intelektualët heshtëm atë ditë. Të gjithë si popull heshtëm për turp. Është ditë turpi gjithashtu!
Kur presidenti Ramiz Alia, që udhëhoqi me mjeshtri, atë tranzicion të vështirë, i vetëm pothuajse, brenda dilemave, pamundësive, hezitimeve, ndofta edhe gabimeve të tij, oh, sa të kuptueshme, i papërsëritshëm nga askush tjetër në dekadat e më pasme, me inteligjencë dhe qartësi mendimi që mund ta kishte vetëm ai në ato kohë, pyeti intelektualë se : A e donin pluralizmin politik? Pati që paturpësisht bënë të habiturin: “Nuk kuptojmë! Cfarë është ky pluralizimi politik?”
Ta tregoj unë pluralizmin politik – duket sikur tha Titani në rrugë, ja me këtë kamionin riportabël ta tregoj se çfarë është?
Pa folur fare!
Nuk u përgjigj njeri. Njësoj si Presidenti që turmat e brohorisnin në atë kohë, edhe të majtë edhe të djathtë, t’i kishte kishte pyetur intelektualët: E doni lirinë politike? Dhe intelektualë t’i përgjigjeshin: Liria? Çfarë është kjo liria! Nuk kuptojmë!
Titanët nuk erdhën kot vërdallë nëpër Tiranë, nuk u çorën kot e më kot rrugës së Kavajës, rrugës së Durrësit dhe gjetiu! Ata dini ta bënin komunikimin politik më mirë se kushdo tjetër më pas! Me akte të zgjuara dhe të thjeshta çanë gardhet e ambasadave dhe u thanë : Po dorëzohemi te ju! Tani tregoni se çfarë dini të bëni! Ne e bëmë Tonën, Juaja fillon tani!
Ata u arratisën duke qëndruar në Tiranë! Çfarë akti i zgjuar politik! Ata, të thjeshtët, treguan me veprime që “pushteti popullor” i asaj kohe, mund të ishte popullor, por jo i popullit. Me një të rënë prej titani me gjokset lakuriqe të rreshkura nga dielli, pa pikë dhjami, ata hodhën tej dogmat e propagandës të kohës!
Pa llafe, me gjuhën e trupit!
Titanët nuk janë fjalamanë, ata flasin me veprat e tyre!
Goditja e tyre prej titani kishte një dhunë humane brenda! Çfarë domethënë? Ata ishin të fuqishëm dhe si ortek merrnin përpara çdo gjë. Ushtruan forcë ndaj mureve dhe hekurave sepse askush tjetër nuk mund t’u dilte përpara. Ata po bënin një akt lirie prandaj as policët, as ushtarët me lopata xhenjere në sup, të lodhur e rraskapitur, nuk kishin asnjë dëshirë t’u rezistonin. Njerëzit e thjeshtë që përdoreshin si mish për top nga aparatet e dhunës ishin me ta. Kur policia dhe ushtria bashkohet me rebelët titanë, atëherë asnjë regjim nuk reziston dot. Atëhere ka fuqi, por nuk ka dhunë që të dëmtojë dikë. Është një nga ngjarjet me furi fizike më të madhe të historisë së Shqipërisë, por pa dhunë të ushtruar mbi njerëz që të shkaktonte viktima, veç ndonjë rasti sporadik, fatkeqësisht!
Ata kishin kalkuluar gjithçka që me një goditje titanësh gjyslakuriq të thyenin zinxhirët e propagandës, fasadës, dhe të dhunës policore.
Kjo ngjarje e 2 korrikut ishte spontane sado që nuk përjashtohet që dikush ta kishte frymëzuar dhe orientuar. Nuk ka pikë rëndësi nëse dikush organizon, rëndësi ka a ndjekin apo jo masat. Ata nuk i sillte aty një fjalë në vesh, kur populli nuk do, thirre sa të duash, ai nuk vjen. Kur ndjen se çasti është, titani nuk ndalet!
Forcë e qetë, e padhunshme! E padhunëshme sepse shumë e fortë fizikisht, masivisht, mendërisht, shpirtërisht!
Për mua 2 korriku është revolta e titanëve, e popullit, pa i ulur asgjë 11 dhjetorit, ky i fundit nga rëndësia nuk krahasohet me të parin. 2 korriku është vala e popullit që merr përpara shtypjen, poshtërimin, skllavërinë, 11 dhjetori ishte pothuajse një ngjarje e negociuar, e rëndësishme, nën presionin popullor, por, e mirëkuptuar edhe nga pushteti!
2 korriku ishte goditja e titanëve gjyslakuriq!
Kërkuan ta ulin forcën e popullit për liri më pas! Ku janë këta titanë? Këtë pyetje e bëjnë ata që nuk e njohin as historinë e popujve, as filozofinë e historisë së popujve.
Titanët ikën pasi dhanë goditjen. Kjo ishte aq heroike sa edhe fatale. Kështu e kanë popujt! Nuk zgërdhihen nëpër salla kuvendesh, aeroportesh, leksionesh, fletoresh që vetëquhen media. Titanët godasin njëherë në senet, ngrihen, godasin, hapin rrugën! Titanët zgjohen rrallë. Si popujt. Kush abuzon me këtë energji e paguan shtrenjtë, sepse titanët e lodhur nga energjia e jashtëzakonshme e çastit historik, të lodhur, bien të flenë për një farë kohe. Të presësh çdo ditë nga titanët është njësoj si të presësh që një hidrocentral të prodhojë energji elektrike, ndërkohë që uji pasi ka çarë digën është derdhur fushave!
Do kohën e vet të rimblidhet!
Ajo ishte një goditje prej titanësh që është akti i vetëm revolucionar në origjinë të shpirtit të popullit për liri, pas tij vijnë delegacionet, marrëveshjet, artikujt, reportazhet, letrat kredenciale, qeveritë e një tufë aktesh të vogla lilipute para zgjimit të Titanëve.
Goditën dhe ikën!
Bosh e keni terrenin, u duk, sikur thanë, në jeni të përgjegjshëm tani vazhdoni në përditshmëri atë që ju takon të bëni, nëse jo : jeni liliputë të gjorë, të ndarë në sundues, dhe në të sunduar, por të dy palët liliputë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here