Dorisa Prela quhet studentja që u ngjit sot në foltoren e Partisë Demokratike, për t’iu bërë thirrje shqiptarëve në mbarë vendin, veçanërisht miqve të saj studentë që të bashkohen në protestën mbarëkombëtare të 7 korrikut përpara Kryeministrisë.
“Unë jam Dorisa Prela, 20 vjeçe, studente në degën dizajn, – u prezantua vajza. – Do t’i bashkohem protestës së Shoqërisë Civile dhe të PD-së më 7 korrik.
Unë nuk do të dal në protestë për veten, por për të tjerët, – theksoi ajo. – Nëse mua dhe familjes sime na shkojnë punët mirë, shoh disa të tjerë në vështirësi.”
“Unë do të dal në protestë që edhe të tjerë të kenë mundësinë që unë kam, sepse çmimet e larta edhe pse nuk i trembin disa, shumë të tjerë i bëjnë të ulin kokën.”
“Protesta e 7 korrikut është rasti për të thënë që ne të mos ulim kokën, të dalim për dikë që nuk i ka mundësitë, por është njeri prej nesh. Një Shqipëri që nuk ngre krye, është një Shqipëri në rrezik!” nënvizoi studentja në përfundim.