Teksa ka mbetur një ditë nga protesta e 7 korrikut, që është thirrur nga Partia Demokratike, deputeti Edmond Spaho paralajmëron pjesëmarrje masive. Spaho ka renditur disa nga arsyet se përse njerëzit do të mbushin nesër sheshin, për të protestuar ndaj qeverisë së Edi Ramës.
“Pjesëmarrja e qytetarëve do jetë masive, pasi ata po provojnë në kurrizin e tyre papërgjegjshmërinë e Edi Ramës. Çmimet po shkojnë në kupë të qiellit, pagat e pensionet nuk rriten, punë nuk ka, 220 mijë veta kanë ikur në emigracion gjatë katër viteve të fundit, korrupsioni lulëzon si askund tjetër, mjaft të shihni çfarë është bërë me inceneratorët nga banda qeveritare.
Qeveria dëshiron të legalizojë kanabisin, të bëjë amnisti fiskale për paratë e krimit të organizuar, jep 60 milion $ për oligarkët sepse janë rritur çmimet e mallrave të ndertimit dhe për popullin nuk do t’ja dijë. A mund të mos dalësh në protestë në këto kushte? Populli do dalë dhe madje masivisht”, u shpreh ai.
Rishikimin e çmimeve të karburanteve nga Bordi i Transparencës, deputeti e lexoi si një lëvizje që tregon frikën e Ramës.
“Edi Rama e ka kuptuar këtë dhe i ka hyrë frika në palcë. Sot urdhëroi shërbëtorët e tij në Bord të ulnin çmimet e karburantit dhe të rriste gjoja pagat për disa kategori. Rritja nuk mbulon as inflacionin e tre muajve të fundit. Gjithçka bëhet nga frika e protestuesve nesër, gjithçka bëhet për të fashitur protestën”, theksoi ai.
Gjithashtu, Spaho bëri edhe një thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme kundër qeverisjes.
“Asgjë nuk e shpëton Edi Ramën dhe bandën e tij. Nesër fillon revolta qytetarë kundër keqqeverisjes, hajdutëve, të korruptuarve, antikombëtarëve të cilët po i mbajmë në shpinë prej 9 vitesh dhe do përfundoje kur mafia të largohet nga pushteti. Të gjithë dilni në protestë të shpëtoni veten dhe të shpëtoni Shqipërinë”, nënvizoi ai.