Media e Malit të Zi “Vijesti.me” ka dhënë një lajm të mirë sa i përket avancimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas “Vijesti.me”, brenda Bashkimit Europian ka patur një kthesë të fortë sa i përket zgjerimit, ku Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të ndjekin një tjetër rrugë për anëtarësimin në familjen Eruopiane, nga ajo që do të ndjekë Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, por edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.
Konkretisht, Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Tirana kanë perspektivën për t’u bërë anëtarë të plotë të BE-së, ndërsa Kievi, Kishinau, Tbilisi, Sarajeva dhe Prishtina mund të jenë pjesë e komunitetit politik evropian, por do të klalojnë në një nivel të dytë të BE-së.
Në shkrim theksohet se pas këtij skenari qëndron Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka mbështetjen e të gjithë anëtarëve kryesorë në BE. Në këtë kontekst, Parisi, Berlini dhe Brukseli punuan me gjithë zemër për të dhënë dritën jeshile për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe dhënien e statusit të kandidatit për BiH, së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë.
Në këtë mënyrë, ata donin të bënin të qartë se cilat vende janë në procesin e anëtarësimit të plotë – dy që tashmë po negociojnë, Mali i Zi dhe Serbia, plus Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat supozohej të fillonin procesin e negociatave – dhe ato që janë kandidatë për një vend në komunitetin e ardhshëm politik evropian.
Gjeneratori i trendit të ri është Macron, pasi ai ka ndryshuar qëndrim dhe tani beson se katër vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të stimulohen për të përshpejtuar integrimin në mënyrë që të anëtarësohen brenda kushteve të pranueshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Tirana do të shihen me përçmim, përkundrazi ai proces do të jetë shumë meritokratik, i kushtëzuar, i bazuar në merita dhe i kthyeshëm. Prandaj, shtetet do të mund të regresojnë në integrimin evropian dhe jo vetëm në progres.
I vetmi vend që mund të kërcejë nga një tren në tjetrin, pra nga perspektiva e hyrjes në komunitetin politik evropian në shanset për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së, është Bosnja dhe Hercegovina. Problemi është se jo të gjithë anëtarët e BE-së mendojnë kështu, ka disa, mes tyre me shumë ndikim, të cilët janë të bindur se Sarajeva nuk ka kapacitet për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së. Nga ana tjetër, Polonia beson se Serbia nuk e meriton të jetë në grupin e vendeve me perspektivë për anëtarësim të plotë.
Burimet mediatike në Malin e Zi dhe institucionet evropiane nënvizojnë se “Ballkani i Hapur” është një histori dhe ide amerikane, por që nuk është kjo e metë, pasi BE dhe SHBA janë partnerë. BE-ja ka një pozicion parimor për të qëndruar pas çdo nisme që është gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në vlerat evropiane të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Nëse Ballkani i Hapur përfshin Malin e Zi, Kosovën dhe BiH, do të ketë mbështetjen absolute të BE-së. Ne nuk kemi asnjë problem me Ballkanin e Hapur si ide, shqetësimi ynë është që ai të mos jetë i pjesshëm dhe që në pak vite të mos kontribuojë në ndarje dhe rivalitete të reja në rajon, që do të çonin në destabilizimin. BE po frenohet sepse dëshiron të shohë nëse tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të hyjnë gjithashtu në Ballkanin e Hapur. Qëllimi ynë është të parandalojmë çdo burim jostabiliteti. Një Ballkan i hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës në mënyrë që të funksionojë dhe të ketë kuptim dhe t’i shërbejë një qëllimi. Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur janë plotësues, nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe mund të sjellin përfitime për të gjithë me kusht që të respektohen parimet dhe vlerat evropiane, duke filluar nga gjithëpërfshirja”, theksoi burimi i “Vijesti” në Bruksel.