Raportuesit e KiE: Korrupsioni në nivele të larta, problemi kryesor! Shqetësim dhe mjedisi mediatik

0
213

Korrupsioni mbetet problem kryesor në Shqipëri. Në këtë përfundim kanë dalë raportuesit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Joseph O’Reilly dhe Asim Mollazada, pas vizitës 3 ditore në vendin tonë.

Në raportin e tyre përshendetet progresi në reformën në drejtësi, por kërkohen rezultate që të jenë të prekshme për qytetarët.

Dy bashkëhartuesit e raportit vlerësojnë zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut dhe faktin që institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë janë tashmë funksionale, por shprehen se kjo duhet të pasohet me arritje të dukshme kryesisht sa i përket aktakuzave dhe dënimeve për zyrtarë të nivelit të lartë të përfshirë në korrupsion.

Shqetësim mbetet edhe mjedisi mediatik. Duke vlerësuar faktin se qeveria hoqi dorë nga paketa e diskutueshme e anti-shpifjes, ata kërkojnë që këto amendamente të ligjit për mediat të hiqen zyrtarisht nga procedura parlamentare.

Ndërsa mediave u kërkohet të krijojnë mekanizmat e duhur vetërregullues.

Raportuesit e Këshillit të Europës kërkojnë që opozita të funksionojë dhe të kapërcejë problemet e brendshme që të luajë rolin e saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here