Zef Preçi, ish-ministër i Ekonomisë, në studion e “A2 Business” deklaroi se kriza ekonomike aktuale është “zhvillim normal në kontekstin global, duke marrë parasysh agresionin rus në Ukrainë”, por shtoi se në vendin tonë kjo krizë po reflekton edhe “problematikën e brendshme që ka ekonomia jonë, që lidhet me problemet strukturore dhe peshën specifike të lartë të sektorit informal”.
“Këto janë zhvillime normale në kontekst global, duke marrë parasysh agresionin rus në Ukrainë. Në rastin e Shqipërisë, këto zhvillime reflektojnë problematikën e brendshme që ka ekonomia jonë, që lidhet me problemet strukturore, peshën specifike të lartë të sektorit informal. Si në krizën e Depresionit të Madh, ashtu edhe në krizat e mëvonshme, për shkak të shkallës së ulët të lidhjeve që kemi me ekonomitë perëndimore, nuk mendoj se duhen interpretuar zhvillimet e ekonomisë botërore si mbartje në ekonominë tonë. Për shembull, kriza në vendin tonë ka nisur përpara se të niste lufta. Ka mungesë vizioni nga qeveria, merret me propagandë dhe jo me thelbin e problemit. Krizë do të thotë humbje e vendeve të punës dhe rritje e varfërisë”, deklaroi Preçi.
“Duhet njohur nga afër realiteti. Qeveria duhet të rishikojë vizionin e saj sa i takon marrëdhënieve me biznesin dhe reformave si amnistia fiskale, që në thelb e kanë bërë dëmin që tani sa i takon performancës fiskale. Duhen mbështetur realisht me prioritet shtresat në nevojë, duke nisur me indeksimin e pagave. Shqipëria, kundrejt një krize globale ushqimore, nuk ka arsye pse të mos reagojë. Duhet të fokusohemi te prodhimi vendas, të stimulohet punësimi dhe prodhimi vendas sepse vetëm kështu mund t’i përgjigjemi krizës”, shtoi Preçi.