Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkojnë axhendat për të Drejtat e Grave në të gjitha trevat shqipfolëse. Ky ishte mesazhi që zonja Albana Vokshi, Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Presidente e Forumit të Gruas së Partisë Popullore Europiane, dha në Prishtinë, në Kuvendin e 8-të të Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Teksa vlerësoi periudhën në të cilën ish-Presidenti Rugova drejtonte LDK-në, zonja Vokshi theksoi se kjo parti ka mbetur besnike e vlerave dhe idealeve të liderit të tyre historik.
“LDK është forcë demokratike dhe mbi të gjitha është modernizur në një parti europiane. Sfida e gjithë Kosovës sot është integrimi europian dhe fuqizimi i saj në arenën ndërkombëtare. Kjo aspiratë e popullit të Kosovës mund të arrihet vetëm me përfshirjen e grave në të gjitha nivelet e shoqërisë, ekonomisë dhe politikës së vendit. Në mënyrë të veçantë përfshirja e grave në vendim-marrje dhe drejtimin politik të vendit është e domosdoshme”, tha Vokshi.
Ajo theksoi se me zgjedhjen e saj në PPE Presidente e Forumit të Gruas, ndër prioritetet kryesore ishte zëri dhe mbështetja më e madhe e interesave të grave e vajzave të vendeve të Ballkanit, vecanërisht grave shqiptare të Shqipërisë, edhe Kosovës dhe trevave shqipfolëse.
“Është shumë e rëndësishme mbështetja e EPP-së për Kosovën, por shpreh bindjen se çdo ditë që kalon pa marrë vendimin final të liberalizimit të vizave është një padrejtësi për Kosovën. Prandaj, sugjeroj ngritjen e një forumi të përbashkët të dy organizatave tona të grave. Së bashku ne mund dhe duhet të koordinojmë qendrimet tona për çështje me interes të përbashkët. Roli ynë në vendimarrje duhet të rritet. Duke bashkëpunuar, duke diskutuar, duke vepruar së bashku ne kemi shanse reale për t’ia dalë mbanë. Ne kemi shumë për t’i dhënë dy vendeve tona dhe kombit tonë”.
Zonja Vokshi u bëri thirrje grave në Shqipëri dhe Kosovë të ngrihen për të drejtat e tyre ekonomike që fëmijët e tyre të mos brakstisin vendlindjet nga varfëria dhe pasiguria.
“Jam krenare si shqiptare dhe kosovare të them se e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të ndërtohet në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha Vokshi në Kuvendin e LDK, në të cilën u zgjodh edhe kryetarja e re e forumit të gruas së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu.