Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka folur për aferën e inceneratorëve duke e konsideruar si një prej më të rëndave në Shqipëri.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo deklaroi se ka ende zyrtarë që nuk janë çuar përpara drejtësisë.
Sipas saj, SPAK është në rrugën e duhur por nuk po tregon guximin e duhur për t’i shkuar më tej kësaj çështje.
Pyetje: Zonja Tabaku ju keni drejtuar Komisionin e Posaçëm Hetimor mbi Inceneratorët. LSI-ja ka paraqitur prova të reja që dëshmojnë sipas saj të tjera abuzime me këtë çështje. Si mendoni ju se po shkojnë hetimet dhe a ka ende për të zbuluar lidhur me këtë çështje?
Jorida Tabaku: Çështja e inceneratorëve është një çështje e jashtëzakoshme e cila ndërthur pushtetin me korrupsionin, më abuzimin, me mashtrimin. Pra për mua është një nga aferat më të rënda. E kam denoncuar këtë që 7 vite më parë dhe jam përpjekur në mënyrë të qëndrueshme, në politikë rëndësi ka qëndrueshmëria, që ta zbuloj hap pas hapi. Sigurisht që komisioni hetimor ishte ndoshta mundësia më e mirë për të bërë transparencë. Sigurisht edhe subjekte të tjera politike kanë bërë denoncimet e tyre. Të njëjtat kompani unë i kam bërë pjesë edhe të padisë në SPAK. Ato të cilat janë duke u pezulluar tani.
Unë gjykoj se SPAK-u është në rrugën e duhur, por nuk po tregon guximin e duhur. Unë besoj që çështja e inceneratorëve ka Akoma përgjegjës të tjerë për t’u çuar përpara drejtësisë. Ndalimi i kompanive të cilat kanë bërë mashtrime me TVSH-në është njëri nga hapat. Drejtuesit politik nuk janë të gjithë përpara përgjegjësisë. Besoj që kryetarët e bashkive nuk janë të gjithë përpara drejtësisë. Unë besoj se ne qoftë se SPAK-u vetëm lexon atë që i kemi çuar ne në kallzim, në padi, do të ketë mundësinë që të hapë një rrugë të re për ndëshkueshmërinë e politikanëve. Sot nëse ne kemi vuajtur dhe jemi në këtë situatë dhe çështja më e debatueshme dhe më e diskutueshme është ndëshkueshmëria e politikanëve, SPAK-u duhet të tregojmë guxim dhe të shkojë tek pushteti. Aty tregohet pavarësisa, aty tregohet suksesi i reformës në drejtësi. Deri më sot guximi ka qenë me hapa shumë të vegjël.
Jorida Tabaku: Erion Veliaj, Arben Ahmetaj që janë sot persona përgjegjës për aferën e inceneratorëve nuk janë thirrur akoma për të dëshmuar. I kam kërkuar SPAK-ut që të treja dosjet duhen bashkuar në një për të parë përgjgjësitë e të gjithëve në të njëjtën skemë. Kemi kompani të cilat vazhdojnë akoma dhe paguhen sot nga thesari i shtetit. Të treja kompanitë e inceneratorëve me persona të cilët janë në kërkim dhe në hetim nga prokuroria. Pra janë masa të menjëhershme të cilat duhet të ishin marrë duke filluar me hetimin pasuror, duke vazhduar sigurisht edhe me personat politik të përfshirë. Për mua është e pamjaftueshme që dy persona politik sot janë përpara drejtësisë, sepse këta persona politik ishin pa pushtet, pavarësisht pushtetit politik që ata kishin. Sot përgjegjësit e vërtetë janë akoma në qeveri.