Ditët e fundit zoti Rama i ofroi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s hapjen e një porti të ri ushtarak të NATO-s në Shqipëri. Një veprim i tillë sigurisht e lartëson Shqipërinë për përgjegjësinë që ajo merr në bashkëpunim me Aleancën, në një kohë kur po kërcënohet rendi botëror nga kërcënimet imperiale revizioniste të Rusisë.
Veprime të tilla shumë të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe të ardhmen perëndimore të Shqipërisë vijnë me njëkonsensus të gjerë, që në Shqipëri nuk mungon në hapësirat politike, me studime të thella të përbashkëta me Aleancën dhe me një diplomaci aktive, të vazhdueshme dhe efektive.
Lëvizje të tilla për strategjinë e sigurisë së vendit bëhen në favor të Shqipërisë dhe jo interesave të mbajtjes së pushtetit, bëhen me veprime aktive në gjithë kryeqytetet e botës perëndimore dhe jo në mënyrë deklarative dhe në një kohë të caktuar përpara Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, i cili është koordinatori i kësaj vendim-marrje.
Në takimin e Brukselit pamë një Kryeministër Shqiptar klientelist dhe Sekretar të Përgjithshëm të Aleancës që foli për çdo gjë, por jo për projektin.
Pse e bëri Rama këtë veprim?
Së pari, zoti Rama e ka bërë mënyrë sjellje klientelizmin dhe servilizmin me Perëndimin, si mjet për të marrë ‘heshtjen’ për veprimet arrogante, jo-demokratike dhe instalimin e shtetit autoritar në Shqipëri.
Afrimi për marrjen e afganëve ishte prelud për manipulimin e zgjedhjeve të 25 Prillit dhe kapur shtetin. Edhe çështja e bazës ushtarake është një veprim ‘ekuilibrues’ për të balancuar skandalin e madh të inceneratorëve, skandal që nuk do t’i rezistonte asnjë regjim që e quan veten demokraci në botë.
Së dyti, Rama dhe regjimi i tij tashmë ka treguar se nuk ka lidhje me shtetin ligjor dhe demokracinë perëndimore. Fenomenet negative të korrupsionit, të lidhjes së krimit me politikën, kapjen e shtetit, janë të evidentuara nga organizatat më të rëndësishme botërore.
Shoqëria civile dhe mediat e lira janë nën presion të vazhdueshëm të regjimit. Shqipëria gjithmonë e më shumë po shket nga rruga demokratike drejt një regjimi putinesk të shtetit.
Regjime të tilla kërkojnë të jenë jashtë kontrollit të standarteve dhe jashtë vlerave dhe parimeve demokratike.
Ata e konceptojnë sistemin nga Uni dhe për interes të Unit (autokratit). Prandaj Rama vonon hyrjen e Shqipërisë në BE me mosveprimet e tij dhe me inisiativat e tij, si Ballkani i Hapur, që e largon vendin nga angazhimet europiane.
Një politikan që nuk i bën përshtypje që të aderojë në një organizëm me Serbinë, e cila është pjesë e tregut Euro-Aziatik të Rusisë, duke e bërë Rusinë të shtrijë më tepër influencat e saj në Ballkan; një politikan që nuk i bën përshtypje sjellja e Serbisë për të mos marrë pjesë në sanksionet e Perëndimit si kundërpërgjigje për agresionin e Rusisë, por e justifikon atë; një politikan që ka zgjedhur si mënyrë drejtimi putinizmin nuk mund të kuptojë nevojën e Perëndimit për të konsoliduar sistemin Euro-Atlantik të mbrojtjes, sistem që ka lindur si nevojë për t’u mbrojtur nga autoritarizmi dhe agresionet e shteteve të tyre. Pra propozimi për bazën ushtarake mbetet vetëm një diversion.
Së treti, asetet strategjike të vendit si aeroportet dhe bazat detare deri tani i janë dhënë në mënyrë klienteliste Turqisë dhe sheikëve arabë të Emirateve të Bashkuara.
Koncesioni korruptiv i Portit të Durrrësit, firmat off-shore që fshehin pronarët e vërtetë, lëshimi që ka bërë qeveria Rama që brenda Ballkanit të Hapur qytetarët serbë dhe ata që vizitojnë Serbinë të hyjnë pa kontroll në Shqipëri, e bëjnë Shqipërinë një vend vulnerabël për sigurinë e bazave të NATO-s.
Nuk mund të ketë siguri të forcave të NATO-s kur një kilometër larg bazave do të përgjojnë, shikojnë dhe veprojnë të lirë përfaqësuesit e Qendrës së Informacionit të Nish-it apo sheikët arabë që kur nuk ju intereson i kthejnë krahët dhe SHBA -së e lidhen me Kinën e Rusinë.
Shqipëria demokratike me kohë ka qenë e ndërgjegjshme për një bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe Perëndimin në fushën e sigurisë Europiane.
Me kohë, që në fillim të transformimit demokratik të vendit, është kërkuar prezenca e bazave amerikane për perspektivën Euro-Atlantike të vendit, por edhe për ekonominë, etj. Asnjëherë nuk janë bërë publike dhe deklarative.
Ato i kanë shërbyer vendit dhe jo afaristit klientelist. Ai adhuron mënyrën e drejtimit të Anadollit.