Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti sot vendimin për të hapur negociatat me Shqipërinë.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se PD-ja nesër në pushtet do të ndërmarrë çdo reformë për ta përshpejtuar këtë proces.
Nga foltorja e selisë blu, ai i bëri thirrje Ramës që të tërhiqet nga projekti i amnistisë fiskale, të cilin e quajti turp.
Sipas Berishës, PD-ja në pushtet do ta bëjë të paligjshme këtë amnisti dhe personave që do të përfitojnë prej saj do t’I kërkojë burimin e të ardhurave.
Berisha: Në emër të PD-së, e cila ka qenë lokomotivë e proceseve të integrimit, shpreh mirënjohjen më të thellë për BE-në, për vendimin e tyre fisnik për hapjen e negociatave. Unë siguroj BE-në se PD-ja sot në opozitë, do të mbështesë, dhe nesër në pushtet do të marrë dhë miratojë çdo reformë të nevojshme për avancimin e procesit të integrimit të vendit në BE. Unë jam këtu për t’I kërkuar Edi Ramës publikisht që në përgjigje të këtij vendimi fisnik të KE-së të mos guxojë të provokojë partnerët tanë, por të deklarojë se heq dorë përfundimisht nga ligji i amnistisë fiskale, kundër të cilit është shprehur haptas, KE-ja, vendet anëtare të BE-së me karrige bosh në takimin e tij të fundit, janë shprehur kundër Dhomat e Tregtisë të Gjermanisë, Francës, Turqisë dhe Dhomat e Biznesit shqiptar.
Problemi më madh që vendet anëtare kanë me Shqipërinë është kriminaliteti. PD angazhohet se me të ardhur në pushtet ajo do të invalidojë amnistinë fiskale dhe kriminale të Ramës dhe do të vendosë para ligjit të gjithë personat që kanë përfituar nga kjo amnisti, duke u kërkuar origjinën e të ardhurave. Emrat e këtyre personave do tu jepen organeve të vendeve perëndimore që t’I përndjekin edhe atje nëse kanë veprimtari.