Çmimet e larta të lëndëve të para po ulin volumin e tregtisë me jashtë.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se, në 6-mujorin e parë të këtij viti, importet e mallrave në sasi pësuan rënie me 6.1 % në raport me vitin e kaluar në të njëjtën periudhe.
Në janar-qershor 2022 u importuan rreth 2,4 milionë tonë mallra nga rreth 2,6 milionë që u importuan vitin e kaluar në këtë periudhë ose rreth 161 mijë tonë më pak.
Ndikimin më të madh në këtë rënie e dhanë grupet e mallrave që përbëjnë edhe volumin më të madh, të tilla si mineralet dhe lëndët djegëse, giza dhe çeliku, drithërat, produktet e qeramikës dhe plehëruesit.
Volumin më të madh të importeve e zë grupi i mineraleve dhe lëndëve djegëse me rreth 21 % të totalit në sasi. Në 6 mujorin e parë ky grup shënoi rënie vjetore me 16 %. Rreth 70 për qind e grupit përbëhet nga karburantet, të cilat pas rritjeve të çmime në muajin mars, me nisjen e luftës në Ukrainë kanë pësuar rënie sistematike muaj për muaj.
Çmimet e larta të karburanteve po frenojnë konsumin edhe për faktin se një pjesë dërrmuese e qytetarëve që jetojnë në zonat kufitare furnizohen në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Kosovë, për shkak të çmimit më të ulët.
Pas naftës artikulli më i importuar ë vend në sasi është hekuri i cili në 6-mujorin e parë ka pësuar rënie me rreth 6%. Edhe pse sektori i ndërtimit po rritet në rekorde historike për shkak të numrit të madh të lejeve të dhëna dy vitet e fundit dhe rrjedhimisht nevoja për lëndë të parë do të rritet, importet e materialeve, të tilla si pllakat e qeramikës dhe hekuri etj kanë pësuar rënie,
Produktet e qeramikës renditen të pestat në 90 grupet e mallrave të importit për nga pesha, pësuan rënie me rreth 20% në 6-mujor. Artikujt të tjerë prej guri e çimentoje që lidhen me industrinë e ndërtimit shënuan rënie gjithashtu me 11 %.
Rënien më të fortë në fakt e kanë shënuar plehërueseve që përdoren si lëndë e parë për bujqësinë. importet e plehëruesve në sasi shënuan rënie me 60% në krahasim me 6 mujorin e parë 2021. Në gjysmën e parë 2022 u importuan 41 mijë tonë plehërues nga 104 mijë tonë që u importuan në 6-mujorin e parë 2021. Fermerët kishin lajmëruar më parë uljen e sipërfaqeve të mbjella pikërisht për shkak të çmimit të lartë të plehrave për bujqësinë.
Rënie të importeve shënuan edhe drithërat. Sasia e tyre është ulur me rreth 10 për qind në 6 -mujor. Në rënien e tyre kanë ndikuar çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare pas luftës në Ukrainë, teksa shumë nga importuesit i kanë shtyrë planet për blerje pas korrjeve të reja të korrikut me shpresë së do të sigurojnë sasi me çmime më të ulëta. /MONITOR