Deklaratë e Sekretares për Marrëdhënie me Publikun, Jola Hysaj.
Serveri i qeverisë vazhdon të jetë i rënë, gjë që ka paralizuar me qindra shërbime të domosdoshme, duke e kthyer Shqipërinë në epokën para internetit.
Raportimet që na vijnë nga terreni bëjnë me dije për bllokim total, që nga marrja e certifikatave familjare apo mjekësore, pensioneve, rrogave, e me radhë.
Edhe tatimet dhe gjykatat janë bllokuar në disa prej funksioneve më bazike.
Një ditë e vetme mjaftoi për të kuptuar se pse platforma dhe reforma qeveritare, bashkë me qindra shërbime online, për të cilat kryeministri mburrej, rezultuan një fluskë e madhe.
Një shërbim amator dhe i politizuar si AKSHI i qeverisë, ka dëshmuar edhe njëherë se, më shumë se shërbime u bën dëm qytetarëve shqiptarë.
Partia Demokratike u bën thirrje organeve përgjegjëse të hulumtojnë mbi atë që qeveria e ka lajmëruar si hakerim.
Nuk është hera e parë që të dhënat e qytetarëve derdhen rrugëve digjitale dhe bien në duar të pasigurta.
Ne gjithashtu dyshojmë te profesionalizmi dhe gatishmëria e AKSHI-t për tu përballur me skenarë të tillë.
Një pyetje që bëjmë në emër të qytetarëve është: Pse nuk ka një server të dytë i cili të shërbejë si host i databazave të të dhënave?
Kjo është një masë që edhe një portal lajmesh e merr.
Ky është një kriter normal në botën digjitale.
Çdo orë që kalon e shton kaosin dhe mundimin e qytetarëve për të aksesuar shërbimet jetike, siç rrezikon të dhënat e secilit prej nesh.