Morena Boja, anëtare e Këshillit Bashkiak në Durrës, gjatë takimit me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi të rinjtë që t’i bashkohen kauzave të PD.
Ajo tha se duhet mbrojtur trashëgimia kulturore dhe historia e qytetit të Durrësit nga rreziku që po i kanoset prej projekteve të betonizimit.
“Unë jam sot këtu për Durrësin, si një e re që ka lindur dhe është rritur në Durrës. Jam këtu për kauzat e qytetit tim. Jam këtu për t’i thënë stop investimeve dhe koncesioneve që prekin trashëgiminë kulturore të qytetit të Durrësit. Qyteti ynë është i bekuar, ka Portin më të madh në vend, që mund të ishte një burim shumë i madh për të ardhurat e qytetit, ka turizmin kulturor dhe detar dhe mendoj që për të gjitha këto ne duhet të jemi të bashkuar. Gjej rastin të ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Durrësit që t’i bashkohen nismave të PD, ftoj të gjithë ato të rinj dhe të reja që kanë interesat kombëtare mbi përfitimet personale dhe individuale”, tha ajo.