Kryeministri Edi Rama ka thënë se sulmi kibernetik ndaj portalit qeveritar e-albania nuk ka të bëjë me hacker-a.
Gjatë një takimi me drejtuesit e rinj të degëve të PS, të emëruar nga ai, Rama tha se pas sulmit dyshohet se qëndrojnë dy shtete.
Megjithatë, kreu i qeverisë sqaron se nuk është në gjendje të identifikojë se kush janë shtetet nga ku erdhi ‘sulmi’.
Ai nuk foli me emra konkretë por theksoi se NATO po ndihmon Shqipërinë në procesin e mbrojtjes kundër këtij sulmi.
“Platforma është kthyer në punë në pjesën më të madhe të shërbimeve. Pas një sulmi shumë kompleks që ne besojmë, që unë po them atë që besojnë ekspertët. Është një sulm i organizuar nga një shtet. Nuk është çështje hakerash, sado të zot. Është një shtet prapa këtij sulmi. Nuk jemi në gjendje të identifikojmë me bindje të plotë shtetin. Dy janë shtetet që dyshojmë.
E them këtë për të thënë që sulmi është jashtëzakonisht kompleks dhe agresiv. Sistemet nuk kanë çeduar në aspektin e shkatërrimit të tyre. Nuk janë zhdukur të dhënat e shtetit. Nuk rrijnë ashtu siç mendojnë qytetarët. AKSHI nuk mban të dhëna. Dokumentet janë aty, bëhet fjalë për dokumente zyrtarë. Deri më tani kjo është situata. Mos duket sikur po i shmangem kësaj gjëje. Realisht është e neveritshme të shikosh që mediat kanë arritur aty ku nuk thuhet nga pikëpamja e lëshimit të lajmeve të rreme pa lidhje. U detyrova të bëja një prononcim vetë për Top Channelin.
Është e paimagjinueshme të shpifet pa hesap, pa përgjegjësi, pa asnjë lloj logjike duke iu thënë njerëzve që është vendosur një gjobë 30 mln euiro ndaj qeverisë, që janë zhdukur të gjitha, a thua se këtu jemi përballë një bande dixhitale që vendosin gjoba. Se banda dixhitale që vendos gjoba në Shqipëri ka. Nuk jemi në këto kushte. Jemi në kushtet e një sulmi kibernetik të supersofistikuar që ka përfshirë në procesin e mbrojtjes dhe kundërsulmit, NATO-n. Për të kundërsulmuar po punohet me një skuadër përtej skuadrës tonë”, tha Rama.
Pavarësisht nga deklaratat e Edi Ramës, pas sulmit kibernetik ndaj portaleve qeveritare dyshohet se fshihet vetë qeveria.
Janë të shumtë zërat e ekspertëve që e pohojnë një gjë të tillë, kjo me qëllim që qeveria të shpallë një tender miliona euro për mirëmbajtjen e sistemit.
Nga qeveria e Edi Ramës gjithçka mund të pritet, sa kohë afera e inceneratorëve nxori zbuluar një nga vjedhjet më të tmerrshme që i është bërë shtetit.
Kjo duke përdorur identitetet e pensionistëve, të moshuarve në azile apo edhe qytetarëve të tjerë, emigrantë e çobanë, pa asnjë lidhje me atë ccfarë bëhej me të dhënat e tyre në institucionet shtetërore dhe banka.