Gazprom redukton furnizimin e gazit në Europë/ BE: Përgatituni për skenarin më të keq

0
190

Gjigandi rus i energjisë Gazprom ka thënë se do të shkurtojë edhe një herë në mënyrë drastike furnizimet me gaz në BE. Gazporom njofton se shkaqet për ndërprerje janë teknike, për shkak të punimeve të mirëmbajtjes të tubacioneve. Gazprom deklaroi se ndalimi i një turbine tjetër në tubacionin Nord Stream 1 do të reduktonte prodhimin ditor të gazit në 20%, duke përgjysmuar nivelin aktual të furnizimit. Qeveria gjermane tha se nuk kishte asnjë arsye teknike për të kufizuar furnizimin me gaz. Tubacioni Nord Stream 1, i cili pompon gazin nga Rusia në Gjermani, ka funksionuar nën kapacitet për javë të tëra dhe u mbyll plotësisht për një pushim 10-ditor të mirëmbajtjes në fillim të këtij muaji.

Rusia furnizoi BE-në me 40% të gazit të saj vitin e kaluar dhe BE-ja e ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si armë. Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve që të reduktojnë përdorimin e gazit me 15% gjatë shtatë muajve të ardhshëm pasi Rusia paralajmëroi se mund të frenojë ose ndalojë plotësisht furnizimet. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se perspektiva që Rusia të ndërpresë të gjitha furnizimet në BE është një “skenar i mundshëm”. Të martën ministrat e energjisë do të takohen në Bruksel në një përpjekje për të rishikuar planet.

Çmimet e gazit me shumicë janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, me një ndikim negativ në faturat e energjisë së konsumatorit. Duke reaguar ndaj njoftimit të Gazprom, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kjo ishte “një luftë e hapur gazi që Rusia po bën kundër një Evrope të bashkuar – pikërisht kështu duhet të perceptohet”. Gazprom tha se reduktimi i fundit i furnizimit do të fillojë në orën 04:00 GMT të mërkurën për shkak të “gjendjes teknike” të njërës prej dy turbinave të fundit që funksionojnë. Por një zëdhënëse e ministrisë gjermane të ekonomisë i tha agjencisë së lajmeve AFP: “Sipas informacionit që kemi, nuk ka asnjë arsye teknike për një reduktim të dërgesave.”

Kremlini pohon se është një partner i besueshëm energjetik dhe fajëson sanksionet perëndimore për ndërprerjen e fundit të furnizimit me gaz në BE. Gazprom thotë se kthimi i vonuar – për shkak të sanksioneve – i pajisjeve të dërguara në servis në Kanada e ka detyruar atë të mbajë rrjedhën e gazit përmes Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit.

“Produkti ynë, rregullat tona. Ne nuk luajmë sipas rregullave që nuk kemi krijuar,” ka thënë shefi ekzekutiv i Gazprom, Alexei Miller.

Reduktimi i vazhdueshëm i furnizimit me gaz përmes Nord Stream 1 ka të ngjarë ta bëjë më të vështirë situatën për vendet që të rimbushin rezervat e tyre përpara dimrit, kur përdorimi i gazit është shumë më i lartë. Gazprom ka shkurtuar plotësisht furnizimin me gaz për Bullgarinë, Danimarkën, Finlandën, Holandën dhe Poloninë, për shkak të refuzimit të tyre për të përmbushur një urdhër të Kremlinit për të paguar faturat e tyre në rubla.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here