Në Parlamentin e monizmit të plotë, Edi Rama shkelmon rregulloren e cila në nenin 110 të saj sanksionon debatin Parlamentar për programin, por edhe për përbërjen e Këshillit të Ministrave. Sot ndryshon përbërja e Këshillit të Ministrave dhe në çdo Parlament në botë, përveç Parlamentit të monizmit të plotë do të bëhej debat. Këtë e ka të qartë Edi Rama, por ai bën çdo lloj manovre dhe çdo lloj përpjekje për të mbuluar faktin se ai, Rama, është padrino i Arben Ahmetajt. Ia thash edhe në Parlament, vish çdo lloj xhakete, por qyrkun e hajdutit nuk e heq dot kurrë nga shpina. Kjo është e vërteta. E vërteta është se ai ka firmosur në shkelmim të ligjeve të vendit dhe vetëm e vetëm për të vjedhur. Kontratë me negociata të mbyllura që s’mund të firmosej kurrë nga një kryeministër që do të zbatojë ligjin.
Edi Rama është shumëfishi i Arben Ahmetajt. Ai ka urdhëruar Arben Ahmetajn për prekjen e fondit rezerve të Këshillit të Ministrave që përdoret për fatkeqësi natyrore apo truma të tjera, përdorimin e tij për inceneratorët, qoftë për Elbasanin, qoftë për Fierin. Edi Rama është firmëtari i famshëm që dha për tenderin e Sharrës 8 pikë kompanisë së vet Gugalja-Zoto-Mërtiri. Ja pse nuk lejoi diskutimin, se këto do ia tregonim me dokumente shqiptarëve. Do i tregonim shqiptarëve se vërtetë Ahmetaj është strumbullar i kësaj çështje, por bajlozët e zinj më kryesorë janë Edi Rama, Engëll Agaçi dhe Erion Veliaj. I cili siç e keni marrë vesh ka firmosur për 91 milionë euro duke falsifikuar dokumentin e firmosur prej tij e duke e paraqitur atë si dokument të të gjitha bashkive të Qarkut Tiranë. Duke falsifikuar, duke paraqitur 91 milionë euro të firmosura, të aprovuara nga Këshilli i qytetit të Tiranës, Parlamenti i Tiranës, dhe në fakt, Këshilli ka bërë mbledhjen javë më vonë për të miratuar atë dokument që kishte hyrë në fuqi dhe kishte bërë aktive marrëveshjen. Këta para vjedhjes nuk njohin asnjë pengesë, asnjë ligj, asnjë moral, prandaj sot nuk lejojnë Parlamentin të diskutojë.
Me kaq po ju falënderoj sepse unë po nisem për në Mirditë. Do festoj me mirditorët 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Rama bën anti-miting, ndërsa unë do e festoj me shqiptarët e vërtetë dhe jo me nëpunës të paguar të cilët siç patë mesazhet vijnë aty vetëm për të ruajtur kafshatën e gojës dhe vendin e punës.
Në fakt, të kremtosh marrëdhëniet me SHBA me Edi Ramën dhe Taulant Ballën është njëlloj si të shkosh me Saimir Tahirin në ‘Shtëpinë e Bardhë’.