Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar të enjten marrëveshjen për Programin Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës.
Projektligji për marrëveshjen është miratuar me 89 vota në Kuvend. Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave.
Kjo marrëveshje e miratuar, është nënshkruar të mërkurën në Uashington nga ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Vlera e përgjithshme e Programit Kompakt është 236.7 milionë dollarë dhe përqendrohet në projekte të energjisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, teksa e ka prezantuar projektligjin në Kuvend, ka thënë se marrëveshja siguron “grantin më të madh të njëhershëm në historinë e Kosovës së pasluftës”.
“Përmes këtij projekti, po rreshtohemi drejt dekarbonizimit të energjisë, duke ndjekur shembullin e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe duke i hapur Kosovës rrugën drejt integrimit euro-atlantik”, ka thënë Bislimi.
Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.
MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.
Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.
Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me nënshkrimin e Programit Kompakt, rikonfirmohet gatishmëria e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën që të avancojë ekonomikisht dhe të ketë zhvillim të qëndrueshëm.
Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë qenë të pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes.
Çfarë parasheh marrëveshja?
Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i Ruajtjes së Energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.
Po ashtu, në nivel të Programit Kompakt, afër 1.8 milion njerëz pritet të përfitojnë nga investimi i MCC-së. Ky vlerësim bazohet në Projektin për Ruajtjen e Energjisë, që mëton t’i mbulojë të gjitha familjet që janë të lidhura me rrjetin elektrik – zyrtarisht raportohet se janë 100 për qind e amvisërive të Kosovës.
Në kuadër të Kompaktit është edhe projekti për Përshpejtimin e Drejtë të Tranzicionit (JETA) që ka dy objektiva parësore: të nxjerrë të diplomuar, të cilët mund të punësohen në sektorin e energjisë apo sektorë të ngjashëm, si dhe të rrisë numrin e grave të punësuara në sektorin e energjisë, të cilat marrin pjesë në Aktivitetin Gjithëpërfshirës të Fuqisë Punëtore në Sektorin e Energjisë.
Kjo pritet të lehtësojë tranzicionin e energjisë të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, duke krijuar mundësinë që gratë që fitojnë shkathtësitë e kërkuara, të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë dhe, në këtë mënyrë, të rritet edhe përfaqësimi i tyre në këtë sektor.
Në kuadër të Programit Kompakt do të përfshihet edhe Projekti i institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim (AFDC). Ky projekt është dizajnuar që të mundësojë shfrytëzimin e fondeve nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC), për të mbështetur investimet private në sektorin e energjisë në Kosovë, por edhe qëllimet e MCC-së në sektorin e energjisë./REL