Pas emërimit të kryenegociatores së re Majlinda Dhuka, kryeministri Edi Rama takoi ekipin e negociatorëve shqiptarë që do të punojnë për procesin e negociatave.
Kreu i qeverisë kërkoi nga negociatorët angazhimin maksimal në kryerjen e misionit të tyre.
Por kryeministri nuk i ka dhënë akoma një përgjigje konkrete faktit se përse e shkarkoi Zef Mazin pa nisur mirë negociatat.
“Vendosja e kryenegocitores së re nënvizon ndryshimin e natyrës së marrëdhënieve mes nesh dhe BE-së përmes kryenegociatorit si urë. Ambasadori Mazi bëri një punë shumë të lavdërueshme diplomatike, një krah shumë i rëndësishëm për mua dhe ministren deri në momentin që u hapen negociatat. Natyra teknike e procesit kërkon një profil shumë teknik,” tha ai.
Ndërkohë, Rama gjeti kohë që t’i përgjigjej një batutë të gazetarit Lutfi Dervishi, i cili kishte shkruar se Google ka shpallur në kërkim kryenegociatoren e re.
Duket se Ramës i ka djegur ironia që ka vendosur në krye të negociatave një njeri të panjohur.
“Ka shumë njerëz në administratën tonë që nuk i gjen në Google, por pa të cilët administrata nuk do funksiononte dot. Ka njerëz që janë në zyra që në fillim të viteve 1990. I kanë shërbyer shtetit me modesti. Sikur çdo gjë të kishte mbetur në dorën e atyre që hyjnë e dalin si në mallin e babait, do kishim një situatë si pas tërmetit”, tha Rama.