Eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing, paralajmëron të mos bëhen të njëjtat gabime si me Ukrainën
Në një intervistë për Deutsche Welle Clewing nënvizon nevojën pse duhet gjetur një zgjidhje e mirëmenduar dhe e qëndrueshme për të garantuar sigurinë e jashtme të Kosovës.
“Dhe këtë e shoh vetëm në perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO” thotë ai.
Sipas mendimit të Clewing, dialogu i koordinuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është masa e duhur për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje në mënyrë afatgjate.
“Sepse kjo është çështje e politikës së sigurisë. A ka të drejtë Serbia të mohojë ose luftojë ekzistencën e shtetit të Kosovës, a ka të drejtë Kosova të bëjë kontrolle kufitare dhe të kërkojë që qytetarët e saj, përkatësisht qytetarët e Kosovës, të pranojnë dhe përdorin dhe posedojnë dokumente nga Kosova, së paku për nevojat që kanë në marrëdhëniet me shtetin e Kosovës. Dhe mendoj se kjo kërkesë nuk është as joreale dhe as e gabuar” thotë ai.
Po a nuk do ta largonte Serbinë nga Perëndimi anëtarësimi i Kosovës në NATO popullsia e të cilës është skeptike ndaj perëndimit, dhe ta çonte atë përfundimisht drejt Rusisë?
“Unë nuk e shoh këtë rrezik aq të madh, nëse Serbia vazhdon të ketë perspektivë për BE. Në skenarin tim, Kosova do të shkonte drejt NATOs dhe do të kishte garanci sigurie ndaj Serbisë. Dhe në këto rrethana nuk do të ketë më nevojë që Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën, sepse ajo nuk mund të bëjë asgjë që do ta vinte në rrezik ekzistencën e shtetit të Kosovës. Dhe kur perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE të bëhet e kapshem, nuk mendoj se Serbia do të ketë më interes të orientohet kah Rusia” tha ai në intervistën dhënë Anila Shuka. /DW/