Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, theksoi sot se çdo qytetar duhet t’i bashkohet protestës që do të zhvillohet sot pasdite përpara Ministrisë së Brendshme me thirrjen “Nuk e vrau varka, por shteti”, protestë për vogëlushen Jonada Avdia, e cila u godit për vdekje nga një skaf në plazhin e Himarës.
Pas vizitës së ngushëllimit në shtëpinë e Bledar Avdisë, babait të vogëlushes së ndjerë, Ilir Meta u tha gazetarëve:
“Çdo qytetar duhet t’i bashkohet kësaj proteste, jo vetëm për të shprehur solidaritetin me këtë familje fisnike, por njëkohësisht për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen se nuk është e para që ndodh për shkak të papërgjegjshmërisë së zyrtarëve të shtetit.
Kemi pasur edhe fatkeqësi të tjera dhe në mënyrë që t’i japim fund këtyre fatkeqësisë dhe që të kemi shtetin që parandalon, shtetin që mbron qytetarët e tij, të gjithë duhet të jenë sot në këtë protestë,” nënvizoi ai.