Me rekomandim nga partia, direkt në veshin e Çuçit, si u rikthye në detyrë Arjan Tase

0
258

Arjan Tase, 2 vite më parë, u pezullua nga radhët e Policisë së Shtetit pasi akuzohej se kishte lejuar kultivimin e kanabisit në Himarë, Komisariatin e të cilës e drejtonte.

Tase u “godit” në 14 dhjetor të vitit 2020 në kuadër të operacionit “Hapësira” bashkë me pesë kolegët e tij pasi akuzoheshin nga AMP se kishin bashkëpunuar me grupe kriminale me qëllim kultivimin e lëndëve narkotike në territorin e zonës së mbuluar nga Komisariati i Policisë së Himarës.

Por në më pak se një vit nga mbyllja e dosjes, Tase u riintegrua menjëherë në radhët e Policisë. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Tase u lirua nga akuzat jo se gjykata e gjeti të pafajshëm, por për shkak se prokurori që kishte kopsitur dosjen, Maksim Sota, do të arrestohej nga SPAK, gjithashtu për korrupsion në kuadër të operacionit “Shpirti”.

Gjykata e rrëzoi çështjen ndaj Tases për mungesë provash, pasi sipas tyre nuk provohej që ish-shefi i Komisariatit të Himarës kishte mbështetur grupet kriminale në zonë. Më pas, efektivi u rehabilitua.

Më firmë të Gledis Nanos, Tase u transferua në Elbasan, ku edhe do të mbante detyrën e shefit të Policimit në Komunitet në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Por si u rikthye ai me një post të ri, gati për të vazhduar karrierën me uniformat blu?

Burime nga radhët e Policisë së Shtetit kanë bërë me dije për Dosja.al që për rikthimin e Tases në detyrë, ndërhyri zv.prefekti i Gjirokastrës njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste për Përmetin, Edvin Tuçi.

Ky i fundit ka folur vetë me deputetin e zonës dhe drejtuesin politik të qarkut Gjirokastër, gjithashtu krejt rastësisht edhe ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi. Përfundimi: Tase u rikthye në detyrë edhe pse akuzohej për bashkëpunim me bandat.

Kështu u rikthye me “rekomandim” në detyrë Tase, fenomen që nuk surprizon, por që duhet të pranohet dhe të ndalojë. Rekomandimet partiake nuk mund të të bëjnë më pjesë së Policisë së Shtetit, e asnjë institucioni tjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here