SHBA-ja, Britania, Gjermania dhe Franca kanë bërë thirrje për të garantuar sigurinë në centralin bërthamor në Zaporizhia që kërcënohet nga konflikti ushtarak me Rusinë.
Në një telefonatë të dielën, 4 liderët e vendeve Perëndimore përsëritën mbështetjen e tyre për Ukrainën kundër pushtimit rus.
Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulmet dhe bombardimet pranë centralit bërthamor në Zaporizhia.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky u bën thirrje qytetarëve të tij që të jenë vigjilentë përpara festimeve të Ditës së Pavarësisë. Ai ka paralajmëruar se Rusia mund të përgatisë ndonjë sulm ndaj Ukrainës në këtë ditë.
“Rusia mund të përpiqet të bëjë diçka mizore. Një nga objektivat kryesore të armikut është që të na poshtërojë. Duhet të jemi të fortë për t’i rezistuar çdo provokimi”, ka thënë Presidenti Zelensky në një fjalim të dielën.
Të mërkurën më 24 Gusht Ukraina feston Ditën e Pavarësisë. Por shënon gjithashtu edhe 6 muaj nga dita kur Rusia pushtoi Ukrainën.