Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit i ka njohur me amsën e sigurisë “Arrest me burg”, 18-vjeçarin Horgito Peqini dhe 33-vjeçarin Klodian Sallufin, i pari autor i vrasjes së Madrit Ulqinakut dhe i dyti, bashkëpunëtor i tij.
Prokuroria e Elbasanit e kishte kërkuar masën “arrest me burg”; gjyqtare e seancës ishte Pajtime Fetau, ndërsa prokuror Arben Berexha. Avokati u zgjodh nga gjykata.
Vrasja ndodhi në 17 gusht kur 18-vjeçari Horgito Peqini së bashku me miqtë e tij, për motive të dobëta, është ndeshur me 33-vjeçarin Madrit Ulqinaku.
Pas vrasjes ai u arratis dhe Policia nuk po mundte ta kapte. Kanë qënë familjarët e Peqinit, që çdo ditë ishin në komisariatin e Policisë së Elbasanit pasi kanë dashur shoqërimin e tij dhe ai në fund është vetëdorëzuar dhe ka treguar dhe se ku e kishte hedhur armën me të cilën kreu vrasjen.
Më 23 gusht, Policia gjeti pas shumë kërkimesh, në lumin Shkumbin, armën e zjarrit pistoletë, me të cilën dyshohet se u vra 33-vjeçari Madrit Ulqinaku. Gjatë mbrëmjes së 22 gushtit vu në pranga autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje dhe bashkëpunëtori i tij.
Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes, si dhe në bazë të provave të grumbulluara nga puna e mirëfilltë hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës Operacionale në DVP Elbasan, në kuadër të operacionit policor të koduar “The end”, u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së datës 17 gusht, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 33-vjeçari M. U.
Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i kontrolleve të shumta të zhvilluara nga Policia e Elbasanit, si dhe i negocimeve me familjarët, u bë e mundur vënia në pranga e shtetasve Horgito Peqini, 18 vjeç dhe Klodian Sallufi, 33 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vrarë, për motive të dobëta, me armë zjarri, shtetasin Madrit Ulqinaku, mbrëmjen e datës 17.08.2022.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë me një krehër me 6 fishekë në të, të cilat u gjetën pas kërkimeve intensive nga ana e shërbimeve, në shtratin e lumit Shkumbin. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.