Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i ka kushtuar vëmendje të veçantë sot në konferencën për shtyp, shpërdorimeve të jashtëzakonshme të fondeve prej qeverisë me pretekstin e garantimit të energjisë për vendin.
“Dua të sjell në vëmendje e publikut, një zhvillim anti ekonomik mjaft të rëndë, një shpërdorim të tmerrshëm që po ndodh në fushën e energjisë, – theksoi Berisha. – Anija që po sjell impiantet nga Bangladeshi për prodhimin e energjisë, në portin e Vlorës, ka hyrë në kanalin e Suezit. 760 milionë euro është e llogaritur nga specialistët më të mirë, kostoja për 2 vite që do të punojnë këto impiante, përfshirë këtu qiranë dhe naftën që shpenzojnë.
Kostoja ditore e tyre e detajuar nga ekspertët është kjo:
Për prodhimin e 1 megavati, këto impiante harxhojnë 220 litra naftë. Impiantet prodhojnë 110 megavat në 24 orë. Nëse e shumëzojmë me 220 litra, ata shpenzojnë 580800 litra naftë në ditë. 580800 litra naftë, nëse i shumëzojmë jo me 2300 sa është sot dhe më shumë, por vetëm me 1900 lekë, impiantet harxhojnë në ditë 949672 euro. Por kjo është vetëm nafta.
Prodhimi ditor i energjisë është 2640 megavat.
Përveç kostos së naftës, qiraja ditore është 91.117 euro. Në total, është 1.490.799 euro. Në rast se llogarisni çmimin e megavatit, këto 1.490.799 euro shpenzohen për prodhimin e 2640 megavat, prodhimi ditor. Do të thotë se 1 megavat kushton 398 euro, pra rreth 400 euro. Kostoja për dy vite qira, pra për 730 ditë del mbi 761 milionë euro”, nënvizoi Berisha.