Deizi Arapi, vajza nga Bilishti që kundërshtoi punonjësit e policisë së komisariatit Devoll, nuk është liruar nga ndjekje penale siç deklaroi në rrjetet sociale, por vijon të jetë ende nën hetim nga prokuroria e Korçës, për akuzën e “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
28-vjeçarja Arapi në mesnatën e 23 gushtit, u arrestua në qendër të qytetit të Bilishtit, pas një përplasje verbale me punonjësit e policisë së këtij qyteti. Arapi goditi me kokë dhe shkelma në gjoks, specialistin e zonës dhe më pas kundërshtoi me forcë të gjithë anëtarët e patrullës së policisë.
Por në 28 gusht, Dezi Arapi, ka dalë para gjykatës së Korçës, ku është njohur me masën e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në polici”, masë kjo e kërkuar nga prokurori Dashnor Nure dhe miratuar më pas nga gjyqtari i gatshëm, Arben Lera.
DOSJA
Sipas dosjes hetimore të publikuar nga “Ora News” më datën 23 gusht rreth orës 24:00, një grup të rinjsh, mes të cilëve edhe shtetasja në hetim Deizi Arapi, kanë qenë në qendër të qytetit të Bilishtit.
Ata bërtisnin dhe ulërinin nën zhurmën e një kasetofini të ndezur që ndodhej në automjetin me targa AA032BB, pronë e shtetases në hetim. Aty kanë shkuar disa punonjës policie, të planizuar me shërbim patrullë dhe u kanë kërkuar të rinjve të ulin tonet pasi shqetësonin në mes të natës banorët përreth.
Kërkesës së punonjësve të policisë, Deizi Arapi, i është kundërpërgjigjur me fjalë fyese në drejtim të punonjësve të policisë. Ajo nuk ka pranuar të ulë volumin e kasetofonit e policët i kanë kërkuar të shkonte me ta në Komisariat, por nuk ka pranuar.
Për këtë arsye policët kanë kryer shoqërimin e saj në komisariat. Në momentin që kanë hyrë në automjetin e policisë Deizi Arapi, ka vazhduar t’i kundërshtojë policët dhe ka goditur me kokë dhe shkelma në gjoks një nga punonjësit e policisë.
Gjatë hetimeve të kryera është kërkuar ekspertimi mjeko-ligjor për policin si dhe kanë dëshmuar dhe pjesa tjetër e efektivëve të patrullës. Mes personave të shoqëruar ka qenë dhe motra e Deizi Arapit, Xhesika Arapit, e cila pasi u pyet në polici është lënë e lirë.