Një përplasje e ashpër ka ndodhur ditën e sotme në Ministrinë e Brendshme, me protagonistë dy personazhe publike.
Bëhet fjalë për ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Takimi i thirrur nga Çuçi është shoqëruar me përplasje dhe me tensione mes dy drejtuesve.
Që prej ngjarjes tragjike të Himarës, ku Komisari i Policisë Arjan Tase, i mori jetën tragjikisht një vajze 7 vjeçe, mijëra qytetarë kanë kërkuar dorëheqjen e Çuçit dhe Nanos.
Dhe duket se pas përfundimit të sezonit të pushimeve, ministri ka preferuar që të gjitha përgjegjësitë të ja lëshojë mbi shpatulla drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Për këtë arsye, paraditen e sotme Nano ka shkuar në zyrën e ministrit të Brendshëm ku është përballur me kërkesën e dorëheqjes së tij.
Burimet bëjnë me dije se, Çuçi i ka kërkuar Gledis Nanos që të dilte e të jepte dorëheqjen në mënyrë publike, duke i kursyer edhe kosto qeverisë së Edi Ramës, e të merrte mbi vete përgjegjësitë për situatën e rëndë kriminale.
Por nuk ka qenë i këtij mendimi, Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Ky i fundit nuk ka pranuar që të japë dorëheqjen nga detyra të cilën e mori më pak se 1 vit më parë.
Siç bëhet e ditur, biseda mes tyre ka qenë e tensionuar, deri edhe në përplasje verbale.
Dorëheqja e kreut të Policisë e kërkuar nga Çuçi, ka rrëshqitur deri në media, duke u publikuar dhe vendosur përpara faktit të kryer Gledis Nanon.
Duket se kjo ka qenë edhe një lloj strategjie e ministrit Çuçi, që Nano të vendosjes para faktit të kryer.
Por disa orë pas publikimit të lajmit në media, ka qenë Gledis Nano, ai i cili ka mohuar se kishte dhënë dorëheqjen duke deklaruar se nuk kishte asnjë arsye për ta bërë këtë gjë.
Gjatë kësaj kohe i pranishëm në këtë bisedë të tensionuar mësohet se ka qenë edhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muhamet Rrumbullaku, i përfolur edhe si zëvendësuesi i Nanos./ syri.net