“Kisha borxhe deri në fyt”- Rrëfehet para policisë “skifteri” që tmerroi Sarandën. Vishej si turist, me sandale e pantallona të shkurtra

0
130

Shtetasi B. S., 45 vjeç, banor në Sinaballaj të Rrogozhinës, prej dy muajsh ishte kthyer në makthin e shumë banorëve të lagjes nr.1 të qytetit të Sarandës, kryesisht të zonës Turizëm – Kanali i Çukës.

Ai rezulton se ka qenë i dënuar më parë me 10 vite burg në Itali dhe Greqi po për vjedhje. Më në fund hajduti ra në dorë të policisë.

Madje edhe momentin kur është kapur, 45-vjeçari B. S., ishte duke vrojtuar për “gjahun e radhës”, por këtë herë ai dështoi. Sipas policisë shtetasi B.S., ishte “specialist në detyrën që i kishte vënë vetes, atë të vjedhjes dhe vepronte vetëm”.

Pasi vrojtonte dritare apo ballkone të hapura, menjëherë kacavirrej e hynte brenda duke mos pyetur për lartësi, deri sa arrinte qëllimin përfundimtar, grabitjen.

Ai ka përfituar shuma të mëdha, deri në 1.5 milionë lekë të reja ka arritur të marrë në një banesë, ndërkohë që llogaritet që nga paratë cash dhe bizhuteritë e sendet me vlerë të vjedhura gjatë këtij sezoni dhe atij të kaluar, të ketë përfituar rreth 50 mijë euro.

Në disa raste, teksa ka gjetur banorët në gjumë, u ka hedhur atyre sprajt me piper për të mos pasur mundësi reagimi edhe nëse zgjoheshin. Por, në të gjitha rastet, sipas policisë, ka hyrë e ka dalë pa u vënë re nga askush, edhe pse mund të ketë kaluar para këmbëve të së paku 5 personave që po flinin.

Gjatë dy muajve, policia nuk kishte asnjë fakt për të, vetëm video teksa ecte në ngushticat e lagjes nr.1 apo në bulevardin e qytetit. Në shumicën e videove, ai mbante të njëjtin stil veshjeje, bluzë e pantallona me mëngë të shkurtra e sandale.

Pamja e tij nuk i thoshte asgjë komisariateve të vendit ku u shpërnda fotografia e siguruar nga videot, aq sa një moment oficerët e policisë së Sarandës dyshonin se ishte i huaj. Për këtë ngjarje, detyrë agjentëve dhe çdo shërbimi policor në Sarandë i’u la kapja e një qerosi që lëvizte rreth orës 03.00-04.00 pranë bulevardit apo ngushticave të lagjes nr.1 dhe që vishte bluzë e pantallona të shkurtra e kryesisht sandale.

Policia bëri “bingo” rreth orës 03.00 në të gdhirë të ditës së shtunë, pranë bulevardit të qytetit, në rrugën hyrëse për në aksin “Turizëm – Kanali Çukës”.

Oficerë civilë të Komisariatit Sarandë e pikasën të dyshuarin duke e neutralizuar dhe bashkë me forcat “Shqiponja” shoqëruan drejt Komisariatit të Sarandës “makthin” e pushuesve dhe policisë.

Sula pranoi jo vetëm 8 vjedhjet e këtij sezoni, por edhe 14 të sezonit të kaluar, për të cilat policia as që dyshonte që ishte i njëjti autor. “Kisha borxhe, isha i detyruar. Vidhja dhe ikja në Rrogozhinë, paguaja borxhet dhe kthehesha sërish”.

Kjo ishte alibia për të cilën policia është dyshuese dhe vazhdon të hetojë për ndonjë banesë të mundshme në Sarandë, por edhe në Rrogozhinë ku Ben Sula ka fshehur miliona lekë, mijëra euro e dollar, por dhe sende me vlerë të vjedhura gjatë dy sezoneve turistike në Sarandë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here