Konfindustria: Të mblidhet urgjent Kuvendi e të zhbëhet Bordi i Naftës, kanë vendosur kartel

0
337

Konfindustria kërkon ndërprerjen e pushimeve të verës dhe mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë me qëllim ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve/ERRK dhe zhbërjen e Bordit të Transparencës.

Gjergj Buxhuku, administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë shprehet se kërkesa vjen pas vendimeve të njëpasnjëshme dhe të vazhdueshme të Bordit në kundërshtim me interesin publik.

Sipas Konfindustrisë një gjë e tillë që prodhon pasoja mjaft të rënda në afatgjatë të krizës ekonomike, falimentime masive, papunësi, emigracion dhe deri me rrezikun e cenimit të qëndrueshmërisë shoqërore dhe kushtetuese të shtetit.

Sipas saj, Bordi i Transparencës është ndërtuar dhe funksionon në kushtet e konfliktit të pastër dhe flagrant me interesin publik, pasi gjysma e anëtarëve të tij, që furnizojnë me të dhëna dhe janë pjesë e vendimmarrjes, përfaqësojnë pikërisht kompanitë, që duhet të jenë subjekt i vëzhgimit për spekulime në treg.

Fluturon … Fluturon … Nafta! Shkon 248 lekë/litri

“Konfindustria vlerëson, se nisma në fjalë do të tregojë pikërisht integritetin e partive dhe deputetëve, që mbrojnë interesin publik, janë të pakapur nga karteli i karburanteve dhe interesat afatshkurtëra politike. Vendimet e BT në thelb janë “taksë speciale shtesë” për bizneset dhe qytetarët, që rrit artificialisht të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe favorizon qartësisht kontrabandën masive të karburanteve.

Vendimi i fundit i BT i datës 27/8/2022 ka thelluar më tej ndryshimin në çmimin e naftës, që bizneset dhe qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë krahasimisht shteteve të Rajonit. Sot nafta/diezel në Shqipëri është përkatësisht afërsisht 33% dhe 25% më e shtrenjtë sesa në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, që furnizohen në të njëjtat tregje ndërkombëtare. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë paguajnë 0.5-0.6 euro/litër më shtrenjtë naftën sesa shtetet e sipërpërmendura. Shqipëria, përpara rritjes së fundit të çmimeve, ishte vendi i 11 në renditjen botërore për shtrenjtësinë krahësimore të karburantit.” – shkruhet në njoftimin e Konfindustrisë.

Konfindustria, kështu kërkon nga deputetët e të gjitha partive pa dallim, që në sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit, të marrin nismën ligjore për themelimin e ERRK, si agjenci e përhershme, profesionale, në varësi të Kuvendit dhe sipas modeleve të suksesshme të rajonit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here