Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar sot për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se përgjegjësia për gjendjen e krimit në vend duhet kërkuar te Rama dhe jo te Drejtori i Policisë.
Një vendim i çuditshëm, por tashmë edhe i zakonshëm. Kur priteshin përgjegjësi në nivele të larta politike për dështimin e rëndë të rendit publik dhe sigurisë në vend, thjesht është e qartë që u bë edhe një kokë turku e radhës, i cili vetëm 10 muaj më parë u promovua me shumë entuziasëm dhe vlerësime si një prurje e re, cilësore dhe shpresëdhënëse për drejtimin ligjor dhe qytetar të Policisë së Shtetit”.
Askush nuk mund të gënjehet që një shkarkim si ky i sotmi mund të jetë shpresëdhënës për depolitizim të këtij institucioni tashmë tërësisht partiak. Është koha që të gjithë llogaridhënien për dështimin e rendit publik, për vrasjet që ndodhin çdo ditë, ta kërkojnë te njeriu që e motivon dhe justifikon krimin, që e ka ndarë Shqipërinë në principate nën ndikimin e kriminelëve, duke e dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme funksionimin e ligjit. Dua t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë të bëjnë gjithçka të zbatojnë ligjin, që të mos përdoren nga politika dhe të mos bashkëpunojnë me segmentet e krimit,” tha Meta.
Meta akuzoi kryeministrin Rama se është i lidhur drejtpërdrejt me krimin dhe se komunikon me bandat.
‘Të gjithë e dinë që lidhet e bandave janë të drejtpërdrejta me kryeministrin, me ministrat me kryetaret e grupeve të deputeteve sipas qarqeve. Kjo është arsye që shumë drejtues në qarqe janë në shërbim të rilindjes vetëm për qëllime korruptive, por që nuk kanë lidhje me zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit”.