Prej më shumë se një viti, qindra afganë janë strehuar në Shqipëri, pas rrëzimit kaotik të qeverisë në vendin e tyre.
Gazeta e njohur amerikane, Washington Post, shkruan se të paktën 780 prej tyre janë të strehuar në resortin Rafaelo në Shëngjin. Në një reportazh të gjatë, gazeta shkruan se këta afganë nuk e dinë se çfarë do bëhet me fatin e tyre.
Ata shprehen për gazetën se janë si të burgosur psikologjikë, edhe pse në fakt jetojnë në një resort luksi.
“Administrata e Biden, e cila u përball me kritika të forta për mënyrën se si i dha fund luftës së SHBA në Afganistan dhe nuk arriti të evakuonte shumë nga aleatët e saj afganë, thotë se nuk ka premtuar kurrë se do të sigurojë strehim për të gjithë”, shkruan gazeta.
Sipas saj, shumë nga organizatat joqeveritare dhe grupet që donin të evakuonin afganët nga Kabuli, telefonuan Edi Ramën, i cili hapi dyert dhe mori 2500 afganë brenda pak muajsh.
Resorti Rafaelo tani thotë se organizata që solli afganët u ka një borxh prej mbi 2 milionë dollarë. Kurse organizata shpreson se qeveria amerikane do i ndihmojë, por Departamenti i Shtetit thotë se një gjë e tillë nuk do ndodhë.
“Qeveria amerikane nuk ka asnjë përgjegjësi për këta njerëz,” tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili foli për gazetën në kushtet e anonimitetit. Sipas tij, organizatat kanë nënshkruar letra për të mbështetur të evakuuari në Shqipëri.
“Tatimpaguesit amerikanë nuk do marrin përsipër këtë gjë,” shtoi ai.
“Çfarë duhet të bëjmë? T’u japim atyre vetëm një vakt në ditë,” thotë menaxheri i resortit. “Edhe ata janë viktima. Por ka edhe një kufi. Sa kohë duhet që të japë hoteli dhoma falas?”.
“Administrata e Biden thotë se nuk i ka inkurajuar kurrë grupet amerikane që të çojnë njerëzit e tyre në Shqipëri dhe se ajo u ka dërguar një mesazh të qartë vjeshtën e kaluar se çdo ent privat që evakuon afganët, do të mbajë përgjegjësi për ta- dhe se ata afganë nuk do të kishin një rrugë të garantuar për në SHBA,” shkruan gazeta.