Është ndoshta kapja më e madhe e kokainës e bërë ndonjëherë në Ankona, e përbërë nga mbi 40 kilogramë kokainë të pastër, me vlerë 2 milionë euro, por që pasi të përpunohej, prehej dhe hidhej në treg, do të kishte dhënë mbi 10 milionë.
Karabinierët e Anconas të premten identifikuan një “Volkswagen Golf” që udhëtonte përgjatë rrugës Albertini. Makina po ecte në mënyrë të dyshimtë dhe për këtë arsye ushtarakët ndërmorën masat për ndalimin e saj. Ajo që fillimisht dukej si një kontroll normal, në vend të kësaj është kthyer në një kapje të madhe droge, milionere. Në timonin e makinës ishte një 30-vjeçar shqiptar i cili në fakt mbante një kilogram kokainë, po ashtu shumë e pastër, e gjetur falë ushtarakëve që nuk u kufizuan në një kontroll të thjeshtë dokumentesh. Sapo u gjet, u hetua identiteti i burrit, prejardhja, kush ishte dhe pse ndodhej në Ankona.
Pikërisht në këtë moment, nëpërmjet terminaleve të përbashkëta, u zbulua se 30-vjeçari ishte në kërkim nga Guardia di Finanza e Brescias, e cila prej disa kohësh po e mbante në sy, por nuk arrinte të gjente drogën. Kjo për shkak se burri, për të vazhduar turin dhe biznesin e tij, kishte marrë një apartament në Ankona në via Primo Maggio,të cilin e përdori si një lloj laboratori dhe magazine.
Pasi u zbulua vendndodhja e shtëpisë, menjëherë u kontrollua dhe u gjet një sasi e madhe kokaine. Përveç parave cash, pakove dhe gjithçka që nevojitet për prerjen e lëndës, karabinierët gjetën edhe një armë me fishekë.
Droga, para dhe armë u sekuestruan ndërsa burri u shoqërua dhe u mbyll në burgun Montacuto. Sipas hetuesve, fakti që ai ishte i armatosur, përveç sasisë që mbante, do të sugjeronte që xhiroja e 30-vjeçarit ishte shumë e madhe dhe se ai është pjesë e një rrjeti të rëndësishëm mbi të cilin po punohet, për të zbuluar çdo pjesë të tij.