Nga shtatori pensionistët në Kosovë do të marrin 100 euro më shumë në muaj, 50 euro plus do të shkojnë edhe për çdo punonjës të administratës dhe 100 euro për punonjësit e ndërmarrjeve publike. Qeveria në Prishtinë prezantoi këtë të shtunë, paketën e ndihmës sociale për të përballuar rritjen e çmimeve dhe krizën e energjisë, përpara dimrit.
Nga shtatori po ashtu pritet të subvencionohet energjia elektrike për të gjithë ata që kursejnë, pra për ata që do të shpenzojnë më pak energji nga i njëjti muaj i vitit të kaluar. Në nëntor, 100 euro në muaj do të të shpërndahet edhe për studentët ndërsa për familjet në nevojë është menduar dyfishim i shumë së asistencës.
E gjithë paketa e ndihmës sociale do ti kushtojë buxhetit të shtetit 150 mln euro dhe për disa kategori, do të nisë nga ky shtator.