Policia e Shtetit do të ofrojë shërbime me pagesë kundrejt privatëve. Është ky vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Brendshëm. Vendimi përcakton se Policia e Shtetit ofron shërbime shtesë kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, në bazë të kërkesës së tyre, për mbështetje në zhvillimin e aktiviteteve kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare, si: panaire, ekspozita, teatro, koncerte, shfaqje, festivale të ndryshme, në mjedise të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, në rastet kur organizatorët e këtyre aktiviteteve nuk janë pajisur me vërtetim sigurie nga Policia e Shtetit.;
Po ashtu, Policia e Shtetit mund të ofrojë shërbime me pagesë duke dhënë në përdorim uniformën zyrtare, armë me fishekë manovër, pajisje të tjera, mjete të loguara policore dhe ambiente, në fushën e kinematografisë, gjatë zhvillimit të xhirimeve filmike.
Një shërbim tjetër është ai për shoqërimin e automjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme, ruajtjen dhe sigurimin e përkohshëm për një periudhë deri në 3 (tre) muaj ndaj personave juridikë publikë me rëndësi strategjike, aktiviteti i të cilëve vlerësohet në rrezik, si dhe ndaj personave juridikë privatë që kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, sipas ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
“Subjektet juridike e fizike, publike ose private, që kanë nevojë për shërbime policie shtesë, paraqesin kërkesë të argumentuar on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-albania”, jo më vonë se tri ditë përpara datës së shërbimit të kërkuar. Pas vlerësimit të kërkesës, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve, subjektit i kthehet përgjigje on-line nëpërmjet portalit unik qeveritar “e- Albania” për miratimin ose refuzimin e kërkesës dhe i dërgohet kontrata e ofrimit të shërbimit, e cila nënshkruhet nga titullari i njësisë shpenzuese, që ofron shërbimin” përcaktohen në vendim.
Të ardhurat, që realizohen nga kryerja e shërbimeve shtesë të përcaktuara në këtë vendim, përdoren në masën 90% nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si të ardhura jashtë limitit me qëllim përdorimin e tyre për të përballuar mbulimin e shpenzimeve të kryera për ofrimin e shërbimit, sipas këtij vendimi, dhe 10% derdhen në buxhetin e shtetit. Këto të ardhura nuk mund të përdoren në asnjë rast për shpërblim./SCAN