Pas më shumë se 24 orësh bllokim, është rikthyer sistemi TIMS në pikën kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës.
Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Policisë së Korçës.
Ndërkohë në Pikën Kufitare të Muriqanit, Hani i Hotit, Grabom dhe Bashkim nuk është kthyer ende sistemi. Edhe në portin e Vlorës procesi i regjistrimit të hyrje-daljeve vijon në mënyrë manuale.
Problemet me sistemin TIMS në Kapshticë u raportuan mbrëmjen e 9 shtatorit.
Për shkak të problemeve u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet.
Sulmi ndaj sistemit TIMS ka qenë ne disa faza, e cila kulmoi me atë të orës 23:13 minuta të datës 9 duke nxjerrë gjithçka jashtë kontrollit, ndërsa aksesi i iranianëve te kamerat e sigurisë së Rinasit është një cenim i sigurisë kombëtare.
Sulmi mbi sistemin TIMS
TIMS është sistemi që rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë dhe përbën thelbin e kontrollit kufitar të vendit. Gjatë mbrëmjes së djeshme janë raportuar probleme me këtë sistem si edhe shtim të radhëve të qytetarëve nga brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë për shkak të një problem në sistemin TIMS, i cili fillimisht nuk u kuptua se përse ndodhi.
Në lidhje me këtë sulm reagoi edhe kryeministri Rama, i cili tha se burimi i tij ishte nga Irani dhe se qeveria po bashkëpunon me partnerët për të mundësuar shërbimin dhe rikthimin në punë të sistemit TIMS.
Nuk dihet ende nëse iranianët kanë patur apo jo akses në këtë sistem, i cili edhe nga vetë policia administrohet me akses të kufizuar. Madje, çdo punonjës policie që futet dhe kërkon për lëvizjet një qytetari të caktuar në atë sistem, lë gjurmë.
MEK
Shqipëria është bërë objektiv i Iranit pas pranimit të muxhahedinëve të MEK në vendin tonë 10 vite më parë. Ky grupim i vendosur në Manzë konsiderohet si kundërshtar i regjimit të Iranit dhe janë në një luftë të ashpër me njeri-tjetrin për revolucionit islamik të vitit 1979. Fillimisht ata ishin me qendrim në Irak por pas sulmeve të vazhdueshme nga milicët e mbështetur nga Irani janë transferuar në Shqipëri.